CREATOR: gd-jpeg v1.0 (using IJG JPEG v80), quality = 82?
Prishtinë, 25 gusht 2026 08:02
Zyra Kombëtare e Auditimit ka evidentuar një varg mangësish në menaxhimin financiar dhe kontrollin e brendshëm në Komunën e Graçanicës, e cila udhëhiqet nga Lista Serbe.
Raporti i auditimit evidenton probleme në klasifikimin e shpenzimeve, menaxhimin e pasurisë dhe stoqeve, llogaritë e arkëtueshme, prokurimin publik, sistemimin e stafit, subvencionet, menaxhimin e kontratave dhe pagesën me kohë të faturave, shkruan Veritasinfo.
Një nga gjetjet kryesore lidhet me llogaritë e arkëtueshme, të cilat në fund të vitit 2025 arrinin në 6.76 milionë euro. Prej kësaj shume, rreth 5.14 milionë euro ishin detyrime nga tatimi në pronë. Sipas Auditorit, rritja e këtyre borxheve lidhet me mungesën e veprimeve të mjaftueshme dhe të vazhdueshme nga departamentet përgjegjëse, si dhe me mungesën e një strategjie për inkasimin e tyre.
Në pasqyrat financiare janë evidentuar edhe probleme në paraqitjen e të dhënave. Llogaritë e arkëtueshme ishin nënvlerësuar për 1.41 milionë euro, ndërsa 282.7 mijë euro shpenzime ishin klasifikuar në kategori të papërshtatshme.
Problem është konstatuar edhe te stoqet. Sipas raportit, ato ishin nënvlerësuar për 528.7 mijë euro, si pasojë e mosregjistrimit të tyre.
Mangësi të shumta janë evidentuar edhe në menaxhimin e pasurisë komunale. Pasuritë kapitale të paraqitura në raportin vjetor financiar, në vlerë prej rreth 25.8 milionë euro, nuk ishin paraqitur saktë. Po ashtu, tri pagesa në vlerë prej 183.2 mijë eurosh nuk ishin regjistruar në regjistrin e pasurisë, ndërsa tetë projekte të përfunduara, me vlerë rreth 360 mijë euro, nuk ishin transferuar ende si pasuri në përdorim.
Kritika ka edhe për prokurimin publik. Në një kontratë për mirëmbajtjen dhe servisimin e veturave, në vlerë prej 24 mijë eurosh, Komuna kishte përcaktuar një devijim prej 30 për qind nga çmimi për njësi. Sipas Auditorit, një devijim i tillë nuk ishte i nevojshëm duke marrë parasysh natyrën e kontratës.
Një tjetër gjetje lidhet me subvencionimin e organizatave joqeveritare. Auditori ka konstatuar se një OJQ e përzgjedhur për përkrahje financiare nuk i kishte plotësuar kriteret e përcaktuara në thirrjen publike. Megjithatë, Komisioni Vlerësues e kishte rekomanduar atë për përkrahje. Kontrata me këtë organizatë kishte vlerën prej 20 mijë eurosh.
Probleme janë gjetur edhe në sistemimin e stafit. Nga 70 mostra të testuara për pagat, në 21 raste auditori ka konstatuar se punonjës të sektorëve të arsimit dhe shëndetësisë nuk ishin sistemuar në vendet e punës në përputhje me kontratat e tyre. Në këto raste përfshiheshin mësimdhënës, administratorë, staf teknik, psikologë dhe shoferë.
Raporti evidenton gjithashtu vonesa në pagesën e obligimeve. Në tetë raste, pagesat ishin vonuar për më shumë se 30 ditë. Ndërkohë, për shkak të obligimeve të papaguara, gjatë vitit 2025 nga buxheti komunal ishin ekzekutuar 67.2 mijë euro pagesa sipas vendimeve përmbarimore dhe gjyqësore.
Sipas Auditorit, në këto raste borxhi kryesor arrinte në rreth 665.3 mijë euro, ndërsa 14.7 mijë euro përbënin shpenzime shtesë për procedura dhe interesa.
Në përfundim, ZKA ka identifikuar dobësi në disa fusha të rëndësishme të menaxhimit financiar, përfshirë klasifikimin e shpenzimeve, prokurimin, subvencionet dhe transferet, menaxhimin e pasurisë dhe stoqeve, llogaritë e arkëtueshme, menaxhimin e kontratave dhe pagesën në kohë të faturave.
Për këto çështje, ZKA ka dhënë gjithsej 15 rekomandime për Komunën e Graçanicës. Prej tyre, tri janë rekomandime të reja, një është pjesërisht i përsëritur, ndërsa 11 janë rekomandime të përsëritura.
Zyra Kombëtare e Auditimit ka bërë të ditur se zbatimin e këtyre rekomandimeve do ta përcjellë gjatë auditimit të vitit të ardhshëm.

Kryesuesi nga radhët e Listës Serbe ndërpret fjalën e asamblistes shqiptare
Dy OJQ me një drejtor përfitojnë nga buxheti i Graçanicës, ngrihen dyshime për konflikt interesi (Dokument)
Mbi 14 mijë qytetarë kërkojnë “Ferizaj pa Urosevac”, kërkesa synohet të dorëzohet në Ditën e Dëshmorëve
Komuna e Mitrovicës njofton themelimin e Muzeut Alternativ të Përvojave të Luftës
Lista Serbe zvarrit zgjedhjen e nënkryetarëve shqiptarë në komunat veriore
Vëlla e motër, viktimat e krimit të sotëm në Gjilan
Shiroka Pula dhe Jashari diskutojnë për sigurinë në Kosovë
Dy të vrarë dhe një i plagosur në Livoç të Ulët, i dyshuari dorëzohet në Polici
Akuzat për spiunazh, Prokuroria: Shabani dhe Qerimi bashkëpunuan me BIA-n