Prishtinë, 23 nëntor 2026 15:59
Gjykata e Apelit ka vërtetuar dënimet me burgim të përjetshëm ndaj Naim Murselit dhe Granit Plavës për vrasjen e Liridona Ademajt.
Me këtë vendim, Apeli ka lënë në fuqi dënimin e shqiptuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë, e cila më 21 prill 2026 i kishte dënuar Murselin dhe Plavën me burgim të përjetshëm për vrasjen e rëndë të 30-vjeçares Liridona Ademaj.
Ndërkaq, Kushtrim Kokalla ishte dënuar me 30 vjet burgim për ndihmë në kryerjen e veprës penale të vrasjes së rëndë.
Departamenti për Krime të Rënda i Gjykatës së Apelit ka refuzuar si të pabazuara ankesat e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, mbrojtësit të familjes së viktimës dhe avokatëve të të dënuarve, duke lënë në fuqi aktgjykimin e shkallës së parë.
Në arsyetimin e vendimit, Apeli ka konstatuar se aktgjykimi i shkallës së parë nuk përmban shkelje esenciale të procedurës penale dhe se provat e administruara dëshmojnë përgjegjësinë e të dënuarve.
Gjykata ka vlerësuar se dënimet janë në përputhje me peshën e veprave dhe rrethanat rënduese të rastit. Ndër to janë përmendur shkalla e lartë e dashjes, motivi i përfitimit material, planifikimi i detajuar i vrasjes dhe mënyra e kryerjes së saj në praninë e dy fëmijëve të viktimës.
Në vendim është theksuar gjithashtu se Liridona Ademaj ishte viktimë e pambrojtur dhe në moshë të re, ndërsa sjellja e të dënuarve pas kryerjes së krimit është vlerësuar si rrethanë rënduese.
Sa i përket Kushtrim Kokallës, Gjykata e Apelit ka vlerësuar se dënimi prej 30 vjetësh burgim është i ligjshëm, pasi ai është dënuar për ndihmë në kryerjen e vrasjes së rëndë dhe jo si bashkëkryerës. Sipas gjykatës, dispozitat ligjore për këtë vepër nuk lejojnë shqiptimin e burgimit të përjetshëm.
Liridona Ademaj u vra më 29 nëntor 2023, në një rast që tronditi opinionin publik në Kosovë.

Eksportet rriten për 35.3% krahasuar me vitin e kaluar
Kosova e para në botë për kujdes shëndetësor dhe rehabilitim në burgje, sipas vlerësimit të ICPA-së
Kamberi kërkon nga qeveria e re e Serbisë njohjen e diplomave të Kosovës
Kosova kalon në pagesa të shpejta, paratë do të transferohen 24/7
Nis rrënimi i gjashtë objekteve pa leje në zonën e Liqenit të Ujmanit
Kurti: Strukturat paralele në veri janë shkatërruar, 29 rrugë ilegale janë mbyllur
Kurti: Vuçiq dërgoi paraushtarakë për t’i sulmuar policët e Kosovës