Prishtinë 23 nëntor 2026 15:10
Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar të dhënat për tregtinë e jashtme të mallrave për muajin tetor 2026, sipas të cilave eksportet kanë shënuar rritje prej 35.3 për qind krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar. Megjithatë, mbulimi i importeve me eksporte mbetet i ulët, në vetëm 17.8 për qind.
Sipas statistikave të ASK-së, gjatë tetorit Kosova ka eksportuar mallra në vlerë prej 124.2 milionë eurosh, ndërsa importet kanë arritur në 699.3 milionë euro.
Në të njëjtën periudhë, importet janë rritur për 12.5 për qind krahasuar me tetorin e vitit 2025.
ASK-ja ka bërë të ditur se deficiti tregtar në tetor ka arritur në 575.1 milionë euro, që paraqet rritje prej 8.5 për qind krahasuar me deficitin prej 530 milionë eurosh të regjistruar në të njëjtin muaj të vitit të kaluar.
Sa u përket grupeve kryesore të produkteve të eksportuara, pjesën më të madhe e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre me 23.3 për qind, të pasuara nga produktet minerale me 20.6 për qind. Plastika, goma dhe artikujt prej tyre përbëjnë 10.7 për qind të eksporteve.
Ndërkaq, në strukturën e importeve dominojnë produktet minerale me 18.6 për qind, makineritë dhe pajisjet mekanike e elektrike me 12.3 për qind, si dhe ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani me 11.5 për qind.
Sipas të dhënave të ASK-së, vendet e Bashkimit Evropian përbëjnë 28.5 për qind të eksporteve të Kosovës, me vlerë prej 35.3 milionë eurosh. Gjermania, Holanda dhe Italia janë partnerët kryesorë të eksportit në këtë grup.
Ndërsa vendet e CEFTA-s mbeten destinacioni kryesor i eksporteve kosovare, me 65.9 milionë euro apo 53.1 për qind të eksporteve të përgjithshme. Shqipëria prin me 28.7 për qind, e ndjekur nga Maqedonia e Veriut me 11.4 për qind dhe Serbia me 6.7 për qind.
Në anën tjetër, importet nga vendet e Bashkimit Evropian kanë arritur në 283.6 milionë euro, ndërsa ato nga vendet e CEFTA-s në 84.7 milionë euro.
Të dhënat e ASK-së pasqyrojnë vazhdimin e hendekut të madh ndërmjet eksporteve dhe importeve, pavarësisht rritjes së konsiderueshme të eksporteve gjatë muajit tetor.

Kosova e para në botë për kujdes shëndetësor dhe rehabilitim në burgje, sipas vlerësimit të ICPA-së
Kamberi kërkon nga qeveria e re e Serbisë njohjen e diplomave të Kosovës
Kosova kalon në pagesa të shpejta, paratë do të transferohen 24/7
Nis rrënimi i gjashtë objekteve pa leje në zonën e Liqenit të Ujmanit
Kurti: Strukturat paralele në veri janë shkatërruar, 29 rrugë ilegale janë mbyllur
Miratohet në parim Projektbuxheti për vitin 2027
Eksportet rriten për 35.3% krahasuar me vitin e kaluar
Kurti: Vuçiq dërgoi paraushtarakë për t’i sulmuar policët e Kosovës
Shqipëria mohon çdo përfshirje në sulmin ndaj anijes luftarake ruse