Prishtinë, 17 nëntor 2026 19:17
Gjykata Themelore në Mitrovicë ka miratuar kërkesën e ndërmarrjes “Trepça” për caktimin e masës së sigurimit, duke ia ndaluar Komunës së Mitrovicës së Veriut vazhdimin e punimeve për ndërtimin e amfiteatrit në sheshin e qytetit.
Vendimi është marrë më 16 nëntor 2026, ndërsa është konfirmuar nga zëdhënësja e Gjykatës Themelore në Mitrovicë, Hateme Haxhaj.
Kërkesën e “Trepçës” e kishte kundërshtuar avokati i Komunës së Mitrovicës së Veriut, Arber Shala, gjatë seancës së mbajtur më 3 nëntor.
Shala kishte ngritur edhe çështjen e kompetencës lëndore të Gjykatës Themelore, duke argumentuar se për këtë kontest, meqë palë janë dy persona juridikë, kompetente duhet të jetë Gjykata Komerciale.
Gjatë procedurës gjyqësore është dëgjuar edhe eksperti gjeodet Nehat Sahiti, i cili ka konstatuar se projekti i ndërtimit të amfiteatrit shtrihet në tri parcela kadastrale, dy prej të cilave janë në pronësi të ndërmarrjes “Trepça”.
Sipas ekspertizës, një pjesë e punimeve ndërtimore prek 11 metra të njërës prej parcelave të kësaj ndërmarrjeje, ndërsa edhe pajisjet e punës janë vendosur në dy parcela që i përkasin “Trepçës”.
Gjykata kishte dalë në vendin e ngjarjes edhe më 7 tetor, kur punimet tashmë ishin ndërprerë. Gjatë kësaj vizite ishte konstatuar se parcela është në pronësi të “Trepçës” dhe se komuna kishte nisur punimet pa pëlqimin paraprak të ndërmarrjes apo ndonjë bazë tjetër të vlefshme juridike.
Në arsyetimin e vendimit, gjykata ka vlerësuar se vazhdimi i punimeve do të përbënte cenim të së drejtës së pronësisë dhe rrezik për ndryshimin apo dëmtimin e gjendjes ekzistuese të parcelave.
Punimet për ndërtimin e amfiteatrit në sheshin e qytetit kishin nisur më 18 shtator 2026.

Vite të tëra pa zgjidhje për qentë endacakë, specialisti i kimisë toksikologjike me kritika për institucionet lokale
Helmimi i qenve në veri të Mitrovicës, dukuri që po përsëritet ndër vite
Lista Serbe politizon mbishkrimin “E dua Mitrovicën”, kërkon largimin e tij
Policia asiston inspektorët në veri të Mitrovicës, tri lokale mbyllen përkohësisht
Shtatë lokale mbyllen në veri të Kosovës pas inspektimeve sanitare
Mbyllen disa lokale në veri të Mitrovicës dhe në Zveçan pas aksionit të inspektorateve
Instituti Albanologjik shpall muze zyrën ku punoi Rexhep Qosja
Rashiq: Lista Serbe është elementi më destruktiv në historinë e serbëve
Aksident në komunikacion, vdes një person