Prishtinë, 19 nëntor 2026 07:18
Katër kinema publike nga Prishtina, Prizreni dhe Peja kanë bashkuar kapacitetet përmes themelimit të rrjetit “KinoRrjeta”, me synimin për të zhvilluar kulturën e filmit, për të rritur interesimin e publikut dhe për të përmirësuar bashkëpunimin ndërmjet institucioneve që merren me kinematografi.
Në këtë rrjet janë përfshirë “Kino Armata” në Prishtinë, “Kino Lumbardhi” dhe “DokuKino” në Prizren, si dhe kinemaja “Jusuf Gërvalla” në Pejë.
Nisma synon krijimin e programeve të përbashkëta filmike, lehtësimin e qasjes në filma, shkëmbimin e përvojave dhe burimeve, si dhe avokimin për përmirësimin e kushteve të funksionimit të kinemave publike.
Themelimi i këtij rrjeti vjen në një kohë kur kinematë publike në Kosovë përballen me sfida të shumta, përfshirë mungesën e hapësirave funksionale, problemet infrastrukturore dhe vështirësitë në tërheqjen e publikut.
Drejtori i fondacionit “Lumbardhi”, Ares Shporta, ka thënë se kjo nismë synon edhe krijimin e shprehive të reja të publikut për të ndjekur filma në kinema.
Ndërkaq, drejtori artistik i “DokuFestit”, Veton Nurkollari, ka vlerësuar se bashkëpunimi do t’ua lehtësojë organizatave qasjen në filma dhe programe, duke mundësuar zhvillimin e aktiviteteve të përbashkëta, përfshirë edhe ato edukative.
Një rëndësi e veçantë do t’i kushtohet edhe promovimit të kinematografisë vendore. Sipas Nurkollarit, janë në plan bashkëpunime me Qendrën Kinematografike të Kosovës dhe Qendrën Kombëtare të Kinematografisë së Shqipërisë, për të sjellë para publikut filma shqiptarë dhe vepra nga arkivat e këtyre institucioneve.
Edhe përvoja e kinemasë “Jusuf Gërvalla” në Pejë tregon interesimin e publikut për prodhimet vendore. Drejtori i festivalit “Anibar”, Vullnet Sanaja, ka thënë se filmat “Dua”, “Hana” dhe “Shame and Money” kanë tërhequr interesim të konsiderueshëm të shikuesve.
Programi i “KinoRrjetës” do të përfshijë filma artistikë, eksperimentalë, të shkurtër dhe dokumentarë, si dhe retrospektiva, cikle tematike, festivale dhe programe të veçanta.
Aktiviteti i parë i përbashkët do të mbahet më 22 nëntor, me shfaqjen e filmit “The Fifth Seal”, me regji të Zoltan Fábrit, në “Kino Armata”, “DokuKino” dhe kinemanë “Jusuf Gërvalla”.
Ndërsa më 24 nëntor, në “Kino Armata” në Prishtinë, programi inaugurues do të vazhdojë me një performancë të Ansamblit Eksperimental të Lumbardhit, nën drejtimin e Ilir Bajrit.
Themelimi i rrjetit është mbështetur nga Fondacioni “Heinrich Böll” dhe Ministria e Kulturës dhe Turizmit.

Instituti Albanologjik shpall muze zyrën ku punoi Rexhep Qosja
Filmi “DUA” prezantohet në Nju-Jork, Kosova synon çmimin Oscar
Krenaria shqiptare me prejardhje nga Kosova, Dua Lipa kryeson Coachella-n
Arkivat e Kosovës dhe Shqipërisë ruajnë dokumente shekullore, theksohet rëndësia e digjitalizimit
Poezia shqipe në gjuhën gjermane, urë lidhëse mes kulturave
Kosova përfaqësohet në takimin evropian të rrjeteve të ansambleve muzikore në Itali
Rashiq: Lista Serbe është elementi më destruktiv në historinë e serbëve
Aksident në komunikacion, vdes një person
Miratohet në parim Projektbuxheti për vitin 2027