Prishtinë, 22 nëntor 2026 08:33
Shqiptarët kudo në botë shënojnë sot, më 22 nëntor, Ditën e Alfabetit të Gjuhës Shqipe, një datë me rëndësi të veçantë historike dhe kombëtare, që përkujton njësimin e alfabetit në Kongresin e Manastirit të vitit 1908.
118 vjet më parë, nga 14 deri më 22 nëntor, në Manastir u mblodhën 50 delegatë nga 26 qytete, klube dhe shoqata shqiptare, me synimin për të gjetur një alfabet të përbashkët për gjuhën shqipe.
Pas diskutimeve të shumta, kongresi arriti një marrëveshje historike për përdorimin e alfabetit me bazë latine, të përshtatur me veçoritë fonetike të gjuhës shqipe. Ky vendim shënoi një hap vendimtar për zhvillimin e arsimit, kulturës dhe forcimin e identitetit kombëtar shqiptar.
Në krye të Kongresit u zgjodh Mithat Frashëri, ndërsa nënkryetarë Luigj Gurakuqi dhe Gjergj Qiriazi. Një kontribut të rëndësishëm në këtë ngjarje dha edhe Parashqevi Qiriazi, e vetmja grua pjesëmarrëse në kongres, e cila mbetet një prej figurave të shquara të arsimit dhe lëvizjes kombëtare shqiptare.
Njësimi i alfabetit ishte më shumë sesa një marrëveshje për përdorimin e shkronjave. Ai krijoi një bazë të përbashkët komunikimi dhe zhvillimi për shqiptarët, duke lehtësuar botimin e librave, hapjen e shkollave shqipe dhe përhapjen e dijes në të gjitha trevat shqiptare.
Rëndësia e Kongresit të Manastirit u dëshmua edhe në rrugëtimin e mëvonshëm historik të shqiptarëve, i cili kulmoi me shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë, më 28 nëntor 1912.
Dita e Alfabetit shënohet çdo vit me aktivitete kulturore, arsimore dhe përkujtimore në trevat shqiptare. Në Maqedoninë e Veriut, 22 Nëntori është festë zyrtare për qytetarët shqiptarë, ndërsa në Manastir vazhdon të funksionojë Muzeu i Alfabetit të Gjuhës Shqipe, ku ruhen dëshmi të rëndësishme të kësaj ngjarjeje historike.
Kjo ditë mbetet një kujtesë për rëndësinë e ruajtjes dhe zhvillimit të gjuhës shqipe, veçanërisht në kohën e zhvillimeve teknologjike dhe ndryshimeve në mënyrën e komunikimit.
118 vjet pas Kongresit të Manastirit, 22 Nëntori vazhdon të simbolizojë bashkimin përmes gjuhës, duke rikujtuar përpjekjet e brezave që punuan për një alfabet të përbashkët dhe duke përcjellë mesazhin se ruajtja e shqipes është përgjegjësi e përbashkët kombëtare.

Instituti Albanologjik shpall muze zyrën ku punoi Rexhep Qosja
Katër kinema publike bashkohen në rrjetin “KinoRrjeta” për ta ruajtur kulturën e filmit në Kosovë
Filmi “DUA” prezantohet në Nju-Jork, Kosova synon çmimin Oscar
Krenaria shqiptare me prejardhje nga Kosova, Dua Lipa kryeson Coachella-n
Arkivat e Kosovës dhe Shqipërisë ruajnë dokumente shekullore, theksohet rëndësia e digjitalizimit
Poezia shqipe në gjuhën gjermane, urë lidhëse mes kulturave
Vdekje në vendin e punës në Istog, Prokuroria nis hetimet
Sveçla: Fabrika e municionit, dëshmi e partneritetit strategjik Kosovë–Turqi
Ukraina dyshohet për sulmin me dron ndaj anijes ruse në Gjirin e Finlandës