Mitrovicë e Veriut, 18 nëntor 2026 15:33
Një qen është gjetur i ngordhur në trotuar, pranë kontejnerëve të mbeturinave në rrugën “Xhon Kendei”, afër shkollës fillore “Branko Radiqeviq”, në veri të Mitrovicës. Në fotografinë e siguruar nga Veritasinfo, qeni shihet i shtrirë pa shenja jete, ndërsa pranë gojës së tij vërehet shkumë dhe lëng, duke ngritur dyshime për helmim.
Rasti ka rikthyer shqetësimet për helmimin e qenve në këtë pjesë të qytetit. Aktivisti i shoqërisë civile në Mitrovicë, Skender Sadiku, thotë se kjo dukuri nuk është e re, por po përsëritet ndër vite, ndërsa thekson se rreziku nuk kufizohet vetëm te kafshët endacake.
Sadiku e cilëson veçanërisht shqetësues faktin se, sipas tij, po helmohen edhe qentë që kanë pronarë, duke paralajmëruar se nga kjo dukuri mund të rrezikohen edhe qytetarët.
“Brengos fakti se kjo është duke ndodhur ndër vite, pra ky krim është duke u përsëritur. Brengosës është fakti se po helmohen edhe qentë me pronarë. Por, mbi të gjitha, të rrezikuar janë edhe qytetarët”, ka deklaruar Sadiku.
Ai ngre shqetësimin se helmimi i kafshëve nuk paraqet vetëm problem për mbrojtjen dhe mirëqenien e tyre, por mund të kthehet edhe në rrezik për sigurinë publike, veçanërisht kur substancat e dyshuara helmuese vendosen në hapësira publike ku qarkullojnë qytetarë dhe fëmijë.
Rasti i fundit është veçanërisht shqetësues edhe për shkak të lokacionit, pasi qeni është gjetur pranë shkollës fillore “Branko Radiqeviq”.
Deri më tani nuk ka konfirmim zyrtar se qeni ka ngordhur si pasojë e helmimit.
Veritasinfo ka kontaktuar me zyrtarin përgjegjës në Agjencionin e Ushqimit dhe Veterinarisë për rajonin e Mitrovicës, por nuk ka pranuar të prononcohet.
Megjithatë, rrethanat e rastit kërkojnë verifikim nga institucionet përgjegjëse, përfshirë shërbimet veterinare dhe organet e rendit.
Sadiku kërkon që kjo dukuri të mos trajtohet si rast i izoluar, por të merret seriozisht, në mënyrë që të parandalohen rastet e përsëritura dhe të garantohet siguria e kafshëve dhe e qytetarëve.
Në anën tjetër, Policia e Kosovës në Mitrovicën e Veriut ka iniciuar rast penal për “Keqtrajtimi i kafshëve dhe ndotja e ushqimit dhe ujit të shtazëve”, pas raportimit se një qen është gjetur i ngordhur në rrugën “Radomir Musiq”, nën dyshimin se ishte helmuar.
“Për rastin është njoftuar Prokurori i Shtetit.
Policia ka nisur hetimet për zbardhjen e rrethanave dhe identifikimin e përgjegjësve.
Deri më tani nuk ka persona të arrestuar. Policia u bën thirrje qytetarëve të mos helmojnë dhe keqtrajtojnë kafshët, ndërsa rastet kur ato paraqesin rrezik t’i raportojnë në numrin emergjent 192”, thuhet në komunikatën e Policisë së Kosovës.

Vite të tëra pa zgjidhje për qentë endacakë, specialisti i kimisë toksikologjike me kritika për institucionet lokale
Gjykata ndalon Komunën e Mitrovicës së Veriut të vazhdojë ndërtimin e amfiteatrit, pranon kërkesën e “Trepçës”
Lista Serbe politizon mbishkrimin “E dua Mitrovicën”, kërkon largimin e tij
Policia asiston inspektorët në veri të Mitrovicës, tri lokale mbyllen përkohësisht
Shtatë lokale mbyllen në veri të Kosovës pas inspektimeve sanitare
Mbyllen disa lokale në veri të Mitrovicës dhe në Zveçan pas aksionit të inspektorateve
Instituti Albanologjik shpall muze zyrën ku punoi Rexhep Qosja
Rashiq: Lista Serbe është elementi më destruktiv në historinë e serbëve
Aksident në komunikacion, vdes një person