Mitrovicë e Veriut, 20 nëntor 2026 09:37
Rastet e përsëritura të ngordhjes së qenve endacakë në Mitrovicë po ngrenë shqetësime jo vetëm për mirëqenien e kafshëve, por edhe për sigurinë dhe shëndetin publik, veçanërisht të fëmijëve.
Dr. Sci. Mexhit Musa, specialist i kimisë toksikologjike, në një analizë rreth gjendjes, për Veritasinfo, thekson se fotografitë dhe raportimet e qytetarëve tregojnë raste të qenve të ngordhur pranë trotuareve, lagjeve të banuara, rrugëve publike dhe madje edhe në afërsi të shkollave.
Sipas Musës, në disa raste është vërejtur material shkumues pranë gojës së kafshëve, por shkaku i saktë i ngordhjes mund të përcaktohet vetëm përmes analizave laboratorike veterinare dhe toksikologjike.
Ai rikujton se edhe në maj të vitit 2025 Mitrovica ishte përballur me raste të ngjashme, kur dyshimet ishin orientuar drejt carbofuranit. Ndërsa në rastet e fundit, dyshimet janë drejtuar drejt methomyl-it, një pesticid me toksicitet shumë të lartë. Megjithatë, Musa thekson se asnjëra substancë nuk mund të konsiderohet e konfirmuar pa rezultate zyrtare laboratorike.
Ai paralajmëron se ekspozimi ndaj këtyre substancave mund të shkaktojë pasoja të rënda shëndetësore, përfshirë vështirësi në frymëmarrje, konvulsione, humbje të vetëdijes dhe, në raste të rënda, edhe vdekje.
Përveç hetimit të helmimeve, Musa kritikon edhe mungesën e një strategjie afatgjatë të institucioneve lokale për menaxhimin e qenve endacakë. Sipas tij, premtimet për sterilizim, strehim, trajtim veterinar dhe adoptim nuk kanë prodhuar rezultate të dukshme.
Ai kërkon që hetimet të përfshijnë edhe origjinën e substancave toksike, mënyrën e furnizimit dhe personat që mund t’i kenë përdorur, duke vënë në pah se moszgjidhja e problemit për vite me radhë përbën rrezik të vazhdueshëm për qytetarët dhe kafshët.

Helmimi i qenve në veri të Mitrovicës, dukuri që po përsëritet ndër vite
Gjykata ndalon Komunën e Mitrovicës së Veriut të vazhdojë ndërtimin e amfiteatrit, pranon kërkesën e “Trepçës”
Lista Serbe politizon mbishkrimin “E dua Mitrovicën”, kërkon largimin e tij
Policia asiston inspektorët në veri të Mitrovicës, tri lokale mbyllen përkohësisht
Shtatë lokale mbyllen në veri të Kosovës pas inspektimeve sanitare
Mbyllen disa lokale në veri të Mitrovicës dhe në Zveçan pas aksionit të inspektorateve
Vite të tëra pa zgjidhje për qentë endacakë, specialisti i kimisë toksikologjike me kritika për institucionet lokale
Instituti Albanologjik shpall muze zyrën ku punoi Rexhep Qosja
Rashiq: Lista Serbe është elementi më destruktiv në historinë e serbëve
Aksident në komunikacion, vdes një person