Prishtinë, 23 nëntor 2026 19:19
Investimet e huaja direkte në Kosovë kanë kaluar për herë të parë shifrën prej 1 miliard eurosh. Kështu ka bërë të ditur ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Mimoza Kusari-Lila, gjatë prezantimit të potencialit ekonomik të Kosovës në një ekspozitë ndërkombëtare në Frankfurt të Gjermanisë.
Kusari-Lila ka marrë pjesë në edicionin e 11-të të Investment Management Exhibition (IME 2026), ku para përfaqësuesve të institucioneve, qeverive dhe investitorëve ndërkombëtarë ka prezantuar mundësitë për investime në Kosovë.
Përmes një postimi në Facebook, ajo ka theksuar se Kosova ka mbi 53 mijë biznese aktive dhe 426 mijë vende pune të regjistruara.
Sipas saj, edhe sektori i teknologjisë së informacionit dhe komunikimit po dëshmon potencial konkurrues, me rreth 400 milionë euro eksporte.
Ministrja ka bërë të ditur se prioritetet strategjike për zhvillimin ekonomik përfshijnë fuqizimin e prodhimit vendor, zhvillimin e energjisë së ripërtëritshme dhe rritjen e eksporteve.
Ajo ka theksuar se Kosovës u ofron investitorëve ndërkombëtarë stabilitet, fuqi punëtore të re dhe të kualifikuar, si dhe kushte konkurruese fiskale, përfshirë tatimin në fitim prej 10 për qind dhe mundësinë e pronësisë 100 për qind të huaj.
Kusari-Lila ka përmendur edhe partneritetin ekonomik me Gjermaninë, duke bërë të ditur se rreth 200 kompani me kapital gjerman operojnë aktualisht në Kosovë.
Ajo ka shprehur bindjen se pjesëmarrja në këtë aktivitet do të ndihmojë në tërheqjen e investimeve të reja, krijimin e partneriteteve dhe integrimin e bizneseve kosovare në zinxhirët evropianë të vlerës.

Apeli ua konfirmon burgimin e përjetshëm Naim Murselit dhe Granit Plavës
Eksportet rriten për 35.3% krahasuar me vitin e kaluar
Kosova e para në botë për kujdes shëndetësor dhe rehabilitim në burgje, sipas vlerësimit të ICPA-së
Kamberi kërkon nga qeveria e re e Serbisë njohjen e diplomave të Kosovës
Kosova kalon në pagesa të shpejta, paratë do të transferohen 24/7
Nis rrënimi i gjashtë objekteve pa leje në zonën e Liqenit të Ujmanit
Kosova shënon rekord, investimet e huaja kalojnë 1 miliard euro
Konjufca ia kërkon homologut grek njohjen e Kosovës