Prishtinë, 23 nëntor 2026 21:18
Publicisti kroat, Zvonimir Despot, ka paralajmëruar se kundërshtimi i presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, nuk nënkupton domosdoshmërisht shkëputje nga nacionalizmi serb dhe ideologjia politike e viteve ’90.
Në një reagim të publikuar në rrjetin social X, Despot ka kritikuar studentët serbë që po protestojnë kundër Vuçiqit, duke vënë në pikëpyetje qëndrimet e tyre lidhur me rezolutën e Parlamentit Evropian për 35-vjetorin e shkatërrimit dhe rënies së Vukovarit.
Sipas tij, pakënaqësia e studentëve ndaj rezolutës, për shkak të përmendjes së pamjaftueshme të viktimave serbe dhe operacioneve ushtarake kroate “Bljesak” dhe “Oluja”, tregon se kundërshtimi i pushtetit aktual në Serbi nuk nënkupton domosdoshmërisht distancim nga narrativat nacionaliste të së kaluarës.
Despot ka theksuar se në reagimet e studentëve mungon një dënim i qartë i agresionit ndaj Kroacisë dhe pranimi i përgjegjësisë së Ushtrisë Popullore Jugosllave dhe Beogradit për luftën.
“Pranimi i të gjitha viktimave nuk nënkupton barazimin e agresorit me të sulmuarin. Nuk do të thotë se Vukovari i vitit 1991 duhet të arsyetohet me ‘Olujën’ e vitit 1995”, ka shkruar ai.
Një pjesë të rëndësishme të reagimit të tij, publicisti kroat ia ka kushtuar konceptit të ashtuquajturës “botë serbe”, për të cilin thotë se nuk ka lindur me Vuçiqin dhe nuk do të zhduket domosdoshmërisht në rast të largimit të tij nga pushteti.
Sipas Despotit, ky koncept paraqet vazhdimësi të ideologjisë së Serbisë së Madhe, e cila ndër vite ka ndryshuar emërtimet, udhëheqësit dhe metodat, por ka ruajtur pretendimin për ndikimin e Serbisë mbi serbët që jetojnë jashtë kufijve të saj.
Ai ka vlerësuar se një pjesë e narrativave historike të periudhës së Sllobodan Millosheviqit vazhdojnë të jenë të pranishme në diskursin politik serb, veçanërisht në mënyrën se si trajtohet përgjegjësia e Serbisë për luftërat e viteve ’90.
“Ju mund të jeni kundër korrupsionit të Vuçiqit, autoritarizmit dhe mbytjes së lirive mediatike, por njëkohësisht të ndani pikëpamjen e tij për luftërat e viteve ’90. Mund të kërkoni demokraci në Serbi, pa qenë të gatshëm të pranoni atë që Serbia u ka bërë fqinjëve të saj. Mund ta rrëzoni Vuçiqin, por Millosheviqin ende ta mbani në kokë”, ka shkruar Despot.
Në fund, ai ka paralajmëruar se ndryshimi i pushtetit në Serbi nuk duhet të interpretohet automatikisht si ndryshim i orientimit politik dhe ideologjik të vendit.
“Serbisë nuk i duhet vetëm ndryshimi i pushtetit. I duhet ndryshimi i vetëdijes politike. Vuçiqi mund të bjerë, Millosheviqi ka vdekur prej kohësh, por ‘bota serbe’ duket se mund t’i mbijetojë të dyve”, ka përfunduar ai.
Këto qëndrime kanë rëndësi edhe në raport me Kosovën, pasi ngrenë çështjen nëse një ndryshim eventual politik në Beograd do të shoqërohej edhe me ndryshim të politikave ndaj Kosovës dhe serbëve që jetojnë jashtë Serbisë.

Konjufca ia kërkon homologut grek njohjen e Kosovës
Shqipëria mohon çdo përfshirje në sulmin ndaj anijes luftarake ruse
Serwer: Beogradi e di se pa njohjen e Kosovës nuk ka anëtarësim në BE
Kurti i drejtohet Zelenskyt: Njiheni Kosovën, mos i lini hapësirë propagandës së Putinit
Rashiq: Lista Serbe është elementi më destruktiv në historinë e serbëve
Kosova angazhon kompani amerikane për lobim në Uashington
“Millosheviqi ende në kokat e tyre”, Despot kritikon narrativat e Listës Studentore
Kosova shënon rekord, investimet e huaja kalojnë 1 miliard euro
Apeli ua konfirmon burgimin e përjetshëm Naim Murselit dhe Granit Plavës