Prishtinë, 20 qershor 2026 11:47
Gjatë dëshmisë së tij para një komisioni parlamentar në Kanada, eksperti i njohur për Ballkanin, Dr. Jasmin Mujanoviç, u bëri thirrje Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Kanadasë që mosnjohjen e Kosovës ta trajtojnë si prioritet diplomatik dypalësh në raport me shtetet e mbetura të Bashkimit Evropian që ende nuk e njohin pavarësinë e saj.
Mujanoviç, politolog dhe specialist i politikave për çështjet e Evropës Juglindore, dëshmoi para Komisionit të Përhershëm për Punë të Jashtme dhe Zhvillim Ndërkombëtar të Dhomës së Përfaqësuesve të Kanadasë. Ai ishte ftuar për të ofruar ekspertizën e tij lidhur me situatën e sigurisë në Ballkanin Perëndimor.
Në fjalën e tij, Mujanoviç deklaroi: “Nuk ekziston asnjë arsye koherente pse vende si Spanja, Sllovakia dhe të tjerat nuk e njohin sovranitetin e Kosovës.
Duke ndjekur sugjerimin e shkëlqyer të kongresistit Self, mendoj se Shtetet e Bashkuara dhe Kanadaja duhet t’u bëjnë të qartë atyre pesë shteteve të mbetura anëtare të Bashkimit Evropian se mosnjohja e Kosovës do të trajtohet si një çështje dypalëshe mes Uashingtonit dhe Otavës nga njëra anë, dhe atyre pesë kryeqyteteve nga ana tjetër.”
Pesë shtetet e Bashkimit Evropian që ende nuk e njohin Kosovën janë Spanja, Sllovakia, Greqia, Qiproja dhe Rumania.
Mujanoviç nënvizoi nevojën për një politikë të koordinuar perëndimore që do të ndihmonte avancimin e stabilitetit rajonal dhe integrimin euroatlantik në Ballkan. Dëshmia e tij përputhet me thirrjet më të gjera për një angazhim më të thelluar të Kanadasë dhe Shteteve të Bashkuara në rajon.
Kjo seancë dëgjimore që u mbajt me 4 qershor, pasqyron interesimin në rritje në Otava për një politikë më proaktive ndaj Ballkanit Perëndimor, në një kohë kur vazhdojnë tensionet gjeopolitike që përfshijnë Rusinë, Kinën dhe sfidat e stabilitetit në rajon.
Me origjinë nga Sarajeva, Dr. Jasmin Mujanović ka doktoruar në Universitetin York në Toronto. Ai është studiues, autor dhe bashkëpunëtor i lartë jorezident në New Lines Institute for Strategy and Policy në Uashington, D.C., ndërsa jeton dhe vepron në Los Anxhelos. Hulumtimet e tij përqendrohen në demokratizimin e shoqërive post-autoritare dhe post-konfliktuale në Ballkanin Perëndimor.
Ai është autor i dy librave të vlerësuar gjerësisht: “Hunger and Fury: The Crisis of Democracy in the Balkans” (2018) dhe “The Bosniaks: Nationhood After Genocide” (2023). Analizat dhe komentet e tij janë publikuar në media prestigjioze si The New York Times, The Washington Post, The Guardian, Foreign Affairs dhe Foreign Policy

Lista Studentore distancohet nga Lista Serbe, reagon Von Cramon
As serbët nga veriu i Kosovës nuk i dhanë mbështetje të plotë Aleksandar Vuçiçit
Mustafi: Shqiptarët e Luginës arritën mbi 27 mijë vota, rekord që nga viti 2000
Kuvendi mblidhet sot, në rend dite buxheti i vitit 2026 dhe Byroja për konfiskimin e pasurisë
Kamberi i hapur për bashkëpunim me Listën Studentore, por kërkon zgjidhje konkrete për shqiptarët
Memeti: Dy deputetë, mundësi më e madhe për përfaqësimin e shqiptarëve në Luginë
Mjeku që shërbeu në luftë, pas 27 vitesh identifikohet përmes ADN-së
Rrjeti i BIA-s për SNS-në: Mbledhje votash dhe evidentim i kundërshtarëve në Kosovë
Kurti: Shëndeti mendor i fëmijëve të jetë pjesë e politikave shtetërore
Operacion i madh kundër narkotikëve, pesë të arrestuar dhe heroinë mbi gjysmë milioni euro