Prishtinë, 4 nëntor 2026 20:46
Për 27 vjet, familja Fazlija jetoi mes dhimbjes, ankthit dhe shpresës për kthimin e njeriut të tyre të dashur. Për gati tri dekada, mungesa e një përgjigjeje për fatin e dr. Fatmir Fazlijës la një plagë të hapur, ndërsa kujtimi për të mbeti i gjallë në familje, i shoqëruar me krenari për jetën dhe veprën e tij.
Por, pas 27 vitesh pritjeje, familja më në fund mori lajmin që kishte pritur për kaq gjatë. Përmes analizave të ADN-së në laboratorët në Hagë, është bërë identifikimi i mbetjeve mortore të dr. Fatmir Fazlisë, mjekut të luftës që dha kontributin e tij humanitar në vitet më të rënda për Kosovën.
Lajmin e ka bërë të ditur vajza e tij, Flaka Fazlija, përmes një njoftimi prekës, në të cilin ka përshkruar dhimbjen e gjatë të familjes, por edhe ndjenjën e lehtësimit që më në fund është zbardhur fati i babait të tyre.
“27 vite pritje, 27 vite ankth… por sot, më në fund, e vërteta gjeti rrugën e saj”, ka shkruar Flaka Fazlija.
Për familjen, këto vite nuk ishin vetëm një pritje për një përgjigje, por edhe një përpjekje e vazhdueshme për ta ruajtur të paprekur kujtimin për njeriun që e humbën në rrethana të luftës. Ata, siç shprehet vajza e tij, vazhduan të besonin në vlerat, trashëgiminë dhe kontributin e tij, madje edhe në kthimin e tij.
Dr. Fatmir Fazlija do të kujtohet jo vetëm si baba dhe familjar, por edhe si mjek i luftës, humanist dhe njeri që profesionin e tij e vuri në shërbim të jetës në kohën kur populli i Kosovës përballej me luftën dhe pasojat e saj.
Në mesazhin e saj, Flaka e përshkruan të atin si “qiri të dijes”, “yll të shpresës” dhe “dritë të orëve më të errëta”, duke vënë në pah trashëgiminë njerëzore dhe profesionale që ai la pas.
“Babi po e përmbyll ciklin e tij jetësor me dinjitetin e një humanisti, me lavdinë e një dëshmori e me kontributin e paçmuar si mantelbardh i lirisë në ato pak vite jetë”, ka shkruar ajo.
Familja Fazlija ka shprehur mirënjohje për institucionet e Republikës së Kosovës dhe të gjithë personat që kontribuuan në zbardhjen e fatit të dr. Fatmir Fazlijës.
Pas gati tri dekadash, identifikimi i mbetjeve mortore shënon fundin e një pritjeje të gjatë për familjen, por edhe fillimin e një kapitulli të ri: atë të kthimit të tij në vendin ku jetoi, ku shërbeu dhe ku do të prehet përgjithmonë.
Për ceremoninë e rivarrimit, familja ka bërë të ditur se do të njoftojë me kohë.
27 vjet më vonë, pritja mori fund. Kujtimi, krenaria dhe dhimbja mbeten pjesë e një historie familjare që për gati tri dekada nuk e humbi shpresën.

Rrjeti i BIA-s për SNS-në: Mbledhje votash dhe evidentim i kundërshtarëve në Kosovë
Kurti: Shëndeti mendor i fëmijëve të jetë pjesë e politikave shtetërore
Operacion i madh kundër narkotikëve, pesë të arrestuar dhe heroinë mbi gjysmë milioni euro
Pas identifikimit të tre viktimave të luftës, priten identifikime të tjera në ditët në vijim
Identifikohen mbetjet mortore edhe të personave nga “Grupi i Intelektualëve” të zhdukur gjatë luftës
Aksion ndërkombëtar kundër mashtrimeve me investime, bastisen pesë lokacione në Kosovë – arrestohen tre persona
Mjeku që shërbeu në luftë, pas 27 vitesh identifikohet përmes ADN-së