Prishtinë, 19 qershor 2026 21:50
Kryenegociatori i Republikës së Kosovës me Bashkimin Evropian, Jeton Zulfaj, dhe Ministrja e Shtetit dhe Kryenegociatorja e Republikës së Shqipërisë me Bashkimin Evropian, Majlinda Dhuka, kanë hapur në Tiranë një punëtori të përbashkët për shkëmbimin e përvojave nga procesi i anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
Punëtoria njëditore vjen si rezultat i dakordimit për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë në fushën e integrimit evropian, marrëveshje kjo e arritur gjatë takimit të parë mes dy kryenegociatorëve më 20 prill.
Gjatë takimit u diskutuan përgatitjet institucionale për procesin e integrimit, me fokus të veçantë në hartimin e përgjigjeve për pyetësorin e Bashkimit Evropian, fazën e shqyrtimit të legjislacionit (screening), si dhe krijimin e strukturave ndërinstitucionale që do të udhëheqin procesin negociator.
Kosova synon marrjen e statusit të vendit kandidat dhe hapjen e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Për këtë qëllim, institucionet kosovare kanë nisur përgatitjet paraprake, me synimin që procesi të zhvillohet me koordinim, efikasitet dhe përgjegjësi të lartë kur të merren vendimet përkatëse.
Përvoja e Shqipërisë, e cila tashmë është e përfshirë në procesin negociator me Bashkimin Evropian, shihet si një mundësi e rëndësishme për Kosovën në ndërtimin e kapaciteteve dhe strukturave të nevojshme për përballimin e një procesi kompleks dhe gjithëpërfshirës.
Gjatë punëtorisë, Zulfaj ka përgëzuar kryenegociatoren shqiptare Majlinda Dhuka dhe ekipin e saj për angazhimin në procesin e negociatave me Bashkimin Evropian, duke shprehur mirënjohje për gatishmërinë e Shqipërisë për të ndarë përvojën e fituar gjatë këtij rrugëtimi.

Lista Studentore distancohet nga Lista Serbe, reagon Von Cramon
As serbët nga veriu i Kosovës nuk i dhanë mbështetje të plotë Aleksandar Vuçiçit
Mustafi: Shqiptarët e Luginës arritën mbi 27 mijë vota, rekord që nga viti 2000
Kuvendi mblidhet sot, në rend dite buxheti i vitit 2026 dhe Byroja për konfiskimin e pasurisë
Kamberi i hapur për bashkëpunim me Listën Studentore, por kërkon zgjidhje konkrete për shqiptarët
Memeti: Dy deputetë, mundësi më e madhe për përfaqësimin e shqiptarëve në Luginë
Koeficienti i pagave pritet të rritet në 120 euro nga korriku i vitit 2027, paralajmëron Kurti
Spajiç kërkon hetim parlamentar për ndikimin e mundshëm të Serbisë në mediat dhe bizneset e Malit të Zi
Pantiqi merret në pyetje nga Prokuroria për rastin e Ukshin Hotit
Dogana e Kosovës arkëton 186.6 milionë euro të hyra gjatë tetorit