Prishtinë, 30 tetor 2026 07:12
Për herë të parë, tre filma që mbajnë vulën e Kosovës po shfaqen njëkohësisht në kinematë vendore. “Dua” i Blerta Bashollit, “Shame and Money” i Visar Morinës dhe “Hana” i Ujkan Hysajt janë pjesë e repertorit, duke u vlerësuar nga kineastë e producentë si dëshmi e zhvillimit të kinematografisë kosovare.
Dy prej këtyre filmave, “Dua” dhe “Shame and Money”, janë përzgjedhur në listën e ngushtë për Çmimet Evropiane të Filmit. Sipas producentit të “Dua”, Valon Bajgora, prania e filmit në kinema dhe mundësia që ai të arrijë te publiku janë ndër treguesit kryesorë të suksesit.
Ndërkohë, bashkëproducenti i “Shame and Money”, Eshref Durmishi, e ka cilësuar shfaqjen e tre prodhimeve njëkohësisht si dëshmi të një viti të suksesshëm për kinematografinë e Kosovës. Filmat po shfaqen në Prishtinë, Prizren dhe Pejë.
“Dua”, i cili është në ditën e 44-t të shfaqjes në kinema, sjell historinë e një vajze 13-vjeçare në Prishtinën e fundit të viteve ’90 dhe përvojën e saj në prag të luftës.
“Shame and Money”, i cili ka nisur shfaqjen më 25 shtator, trajton historinë e një familjeje që, pas humbjes së mundësisë për të siguruar jetesën në fshat, zhvendoset në kryeqytet. Filmi e ka nisur rrugëtimin ndërkombëtar me çmimin e madh të jurisë në festivalin “Sundance”.
Ndërkaq, “Hana”, që po shfaqet prej rreth një jave, trajton traumën e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, përmes historisë së Sarës, një të mbijetuare të dhunës seksuale.
Megjithatë, pavarësisht suksesit artistik, shikueshmëria në kinema mbetet një sfidë. Drejtori i “Cineplexx” në Kosovë, Milazim Salihu, ka thënë se numri i shikuesve nuk i ka përmbushur pritshmëritë, duke vlerësuar se publiku vendor vazhdon të preferojë më shumë komeditë dhe filmat horror sesa dramat.
Në anën tjetër, producenti dhe udhëheqësi i programit “DokuLab”, Eroll Bilibani, ka vlerësuar se prania e filmave vendorë në kinema tregon zhvillimin e industrisë. Sipas tij, publiku kosovar duhet të krijojë gradualisht shprehi për t’i ndjekur filmat vendorë në kinema.
Kjo valë e re e prodhimeve kosovare vjen pas një periudhe të gjatë të mungesës së infrastrukturës kinematografike dhe rritjes graduale të numrit të kinemave në vend.

Akordet e Kosovës” gati për tri net muzikore, në skenë edhe talentet e rinj
Kosova dhe Hungaria thellojnë bashkëpunimin në fushën e bibliotekave
Filharmonia e Kosovës shkëlqen në skenën e Krakovit
Kosova në garë për “Oscar”-ët evropianë me “Dua” dhe “Shame and Money”
Kosovës i shtohen 13 objekte në listën e mbrojtjes së trashëgimisë kulturore
Shtëpia e Kulturës së Runikut të Skenderajt nga kujtesa lokale në skenën e New Yorkut
Tre filma kosovarë njëkohësisht në kinema, shenjë e zhvillimit të kinematografisë vendore
Sulm me dron rus në stacionin hekurudhor në Dnipro, 13 të vrarë dhe 10 të plagosur
Nis hartimi i ligjit për pensionimin e parakohshëm të policëve, synohet pensionimi gradual deri në 55 vjeç
Kurti pranoi raportet lidhur me rastin e Arlinda Zekajt