Prishtinë, 4 nëntor 2026 12:54
Audioincizimi i Fehim Salit në Kosovë dhe kallëzimi penal ndaj drejtorit të Agjencisë së Inteligjencës së Serbisë (BIA), Vladimir Orliq, në Serbi, nxjerrin në pah pretendimet për përfshirjen e inteligjencës serbe në mbledhjen e votave për Partinë Progresive Serbe (SNS).
Kështu vlerëson profesori Gurakuç Kuçi, i cili thotë se të dy rastet tregojnë lidhjen mes organizimit elektoral dhe strukturave të inteligjencës, duke ngritur shqetësime për grumbullimin e të dhënave politike dhe përdorimin e tyre për presion e ndikim në Kosovë.
Në audioincizimin e publikuar më 4 shtator 2026, Fehim Sali dëgjohet duke komunikuar me Zhelimir Matoviqin, të identifikuar nga Prokuroria Speciale e Kosovës si zyrtar i BIA-s. Gjatë bisedës, Sali shpjegon mbledhjen e nënshkrimeve për SNS-në në mesin e komunitetit goran, duke përmendur edhe evidentimin e personave që kishin refuzuar ta mbështesnin këtë parti.
Sipas Kuçit, përcjellja e këtyre informacioneve te një zyrtar i inteligjencës së huaj e tejkalon organizimin e zakonshëm partiak, pasi mundëson identifikimin e qëndrimeve politike dhe krijon hapësirë për ushtrim presioni ndaj qytetarëve.
Në këtë rast përmendet edhe një shoqatë, e regjistruar në Serbi më 2 prill 2024, ku Sali figuron si përfaqësues. Organizata është lidhur me raportimet për mobilizimin e mbështetjes së komunitetit goran për SNS-në.
Kallëzimi penal ndaj drejtorit të BIA-s
Më 2 nëntor 2026, avokati Ivan Niniq paraqiti kallëzim penal në Prokurorinë për Krimin e Organizuar në Beograd kundër drejtorit të BIA-s, Vladimir Orliq, dhe shtatë drejtuesve të tjerë të agjencisë.
Sipas kallëzimit, punonjësve të BIA-s në disa qytete të Serbisë u ishte imponuar mbledhja e të ashtuquajturave “vota kapilare” për SNS-në, përmes formularëve partiakë dhe autoritetit të eprorëve.
Orliq, para emërimit në krye të BIA-s në qershor 2024, kishte qenë funksionar i lartë i SNS-së dhe kryetar i Kuvendit të Serbisë.
Kallëzimi u bë publik pas zgjedhjeve parlamentare të 25 tetorit në Serbi. Ndërkaq, ODIHR, në vlerësimin e 26 tetorit, evidentoi keqpërdorimin e burimeve shtetërore dhe presionet gjatë procesit zgjedhor.
Shqetësimet për sigurinë e Kosovës
Duke i ndërlidhur të dy rastet, Kuçi vlerëson se përfshirja e pretenduar e BIA-s në mbledhjen e votave për SNS-në ngre çështje që shkojnë përtej organizimit elektoral.
Sipas tij, mbledhja e të dhënave për qytetarët që mbështesin ose refuzojnë SNS-në dhe raportimi i tyre te zyrtarët e inteligjencës serbe krijojnë mundësi për profilizim politik, presion dhe zgjerim të rrjeteve të ndikimit në Kosovë.
Kuçi thekson se institucionet e Kosovës duhet të hetojnë personat e përfshirë, mënyrën e përcjelljes së listave dhe lidhjet e tyre me strukturat e BIA-s, për të zbardhur përdorimin e mundshëm të këtyre informacioneve për ndikim politik.

Kurti: Shëndeti mendor i fëmijëve të jetë pjesë e politikave shtetërore
Operacion i madh kundër narkotikëve, pesë të arrestuar dhe heroinë mbi gjysmë milioni euro
Pas identifikimit të tre viktimave të luftës, priten identifikime të tjera në ditët në vijim
Identifikohen mbetjet mortore edhe të personave nga “Grupi i Intelektualëve” të zhdukur gjatë luftës
Aksion ndërkombëtar kundër mashtrimeve me investime, bastisen pesë lokacione në Kosovë – arrestohen tre persona
Lansohet Platforma e Identitetit Elektronik, Kurti: Hap i rëndësishëm drejt digjitalizimit
Rrjeti i BIA-s për SNS-në: Mbledhje votash dhe evidentim i kundërshtarëve në Kosovë
Demokratët marrin kontrollin e të dy dhomave të Kongresit amerikan, goditje politike për Trumpin