Prishtinë, 13 tetor 2026 10:41
Prania e 48 bazave ushtarake dhe të xhandarmërisë së Serbisë pranë kufirit me Kosovën po ngre shqetësime për sigurinë e vendit. Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka tërhequr vëmendjen te kapacitetet ushtarake serbe pranë vijës kufitare, duke e krahasuar këtë situatë me përqendrimin e forcave ruse pranë Ukrainës para pushtimit të vitit 2022.
Megjithatë, për të kuptuar domethënien e këtyre bazave dhe rrezikun që ato mund të paraqesin, ekspertët bëjnë vlerësim më të gjerë të kapaciteteve ushtarake të Serbisë, gatishmërisë së forcave dhe qëllimeve të mundshme politike e ushtarake të Beogradit.
Njohësi i çështjeve të sigurisë dhe ish-ushtaraku i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Hysen Gecaj, në një intervistë për Veritasinfo, vlerëson se prania e bazave ushtarake dhe të xhandarmërisë serbe pranë kufirit përbën një faktor të rëndësishëm në vlerësimin e sigurisë kombëtare të Kosovës. Megjithatë, ai tërheq vërejtjen se numri i bazave, i marrë veçmas, nuk është dëshmi se Serbia ka marrë vendim për të ndërmarrë një sulm.
“Prania e bazave ushtarake dhe të xhandarmërisë serbe pranë vijës kufitare është një faktor real i rëndësishëm për vlerësimin e sigurisë së Kosovës, por numri 48, i vetëm, nuk dëshmon se Serbia ka marrë vendim për ta sulmuar Kosovën”, thekson Gecaj.
Sipas tij, rëndësia ushtarake e këtyre pozicioneve duhet të vlerësohet në bazë të vendndodhjes, madhësisë, përbërjes, armatimit dhe gatishmërisë së forcave që ndodhen aty, si dhe lëvizjeve të tyre.
Gecaj thekson se për të kuptuar rrezikun e mundshëm, duhet të bëhet dallimi ndërmjet kapacitetit për të ndërhyrë, qëllimit për të ndërhyrë dhe kushteve që do ta mundësonin një ndërhyrje.
“Për të kuptuar domethënien e tyre, duhet të bëjmë dallimin ndërmjet tri çështjeve: kapacitetit për të ndërhyrë, qëllimit për të ndërhyrë dhe kushteve që do ta mundësonin një ndërhyrje”, shprehet ai.
Sipas Gecajt, afërsia e bazave me kufirin mund t’u mundësojë forcave serbe reagim më të shpejtë, mbikëqyrje të terrenit dhe përqendrim të kapaciteteve në zona të caktuara. Në rrethana të caktuara, këto pozicione mund të përdoren edhe për të ushtruar presion politik e psikologjik ndaj Kosovës.
Megjithatë, ai nënvizon se duhet bërë dallimi ndërmjet bazave të përhershme dhe pozicioneve të përkohshme, si dhe ndërmjet objekteve të vogla të xhandarmërisë dhe atyre që mund të mbështesin njësi me kapacitete më të mëdha luftarake.
Për një vlerësim më të saktë të rrezikut, Gecaj rendit disa tregues që kërkojnë vëmendje të veçantë: lëvizjet e pazakonta të njësive të mëdha drejt kufirit, grumbullimin e municionit dhe pajisjeve logjistike, vendosjen e artilerisë ose mjeteve të blinduara në pozicione të reja, si dhe shtimin e gatishmërisë luftarake.
Ai thekson se asnjë tregues i vetëm nuk e dëshmon domosdoshmërisht ekzistencën e një plani sulmi. Por, nëse disa prej këtyre zhvillimeve shfaqen njëkohësisht dhe konfirmohen nga burime të pavarura, vlerësimi i rrezikut duhet të ndryshojë.
Duke iu referuar krahasimit me Rusinë para pushtimit të Ukrainës, Gecaj vlerëson se përvojat e tilla duhet të shërbejnë si paralajmërim për institucionet e Kosovës, por jo si provë se një sulm është i pashmangshëm.
Në këtë kontekst, ai thekson rëndësinë e monitorimit të vazhdueshëm të zhvillimeve ushtarake në Serbi, vlerësimit të informacionit nga burime të ndryshme dhe përgatitjes së institucioneve të sigurisë për skenarë të mundshëm.
Prandaj, çështja e 48 bazave nuk duhet parë vetëm përmes numrit të tyre, por edhe në raport me kapacitetet që mund të vihen në dispozicion, zhvillimet në terren dhe rrethanat politike e të sigurisë në rajon.

Maqedonci: Serbia mbetet kërcënim për sigurinë e Kosovës
FSK avancon kapacitetet e Policisë Ushtarake përmes trajnimit me Gjermaninë
Qeveria planifikon ta procedojë në shkurt 2027 projektligjin për formimin e Xhandarmërisë
Industria e mbrojtjes në Kosovë: Parashihet prodhimi i municioneve, dronëve e blindave
Shiroka Pula dhe Jashari diskutojnë për sigurinë në Kosovë
29 kadetë të FSK-së nisin rrugëtimin ushtarak në Akademinë e Forcave të Armatosura të Shqipërisë
Prania ushtarake e Serbisë pranë Kosovës, mes rrezikut dhe paralajmërimeve
Konjufca: Sulmet në Banjskë dhe Ibër-Lepenc treguan kërcënimet ndaj sigurisë së Kosovës
Kuçi: Fushata elektorale në Serbi po normalizon ambientin politik armiqësor ndaj Kosovës
Kosovës i shtohen 13 objekte në listën e mbrojtjes së trashëgimisë kulturore