Tiranë, 27 nëntor 2026 07:24
Në Tiranë po mbahet konferenca ndërkombëtare me temën “Sfidat e sigurisë së informacionit në realitetin e TIK-ut”, ku përfaqësues të institucioneve të Kosovës dhe Shqipërisë po diskutojnë për kërcënimet kibernetike, mbrojtjen e informacionit të klasifikuar dhe sfidat e reja që sjell zhvillimi i teknologjisë.
Konferenca, e organizuar nga institucionet përgjegjëse për sigurinë e informacionit të klasifikuar në Kosovë dhe Shqipëri, synon të forcojë bashkëpunimin ndërinstitucional dhe të avancojë mekanizmat për mbrojtjen e informacionit dhe infrastrukturës digjitale.
Në këtë aktivitet po marrin pjesë përfaqësues të lartë institucionalë nga të dyja vendet, përfshirë ministrin e Digjitalizimit dhe Administratës Publike të Kosovës, Lulëzon Jagxhiu, ministrin e Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, si dhe zyrtarë të tjerë të institucioneve të sigurisë dhe mbrojtjes.
Gjatë diskutimeve është vënë theksi te nevoja për të përballuar kërcënimet kibernetike dhe hibride, rreziqet që lidhen me përdorimin e inteligjencës artificiale, si dhe rëndësia e mbrojtjes së të dhënave shtetërore dhe sistemeve kritike.
Ministri Jagxhiu ka theksuar rëndësinë e sigurisë si pjesë të procesit të transformimit digjital, duke përmendur edhe zhvillimin e kapaciteteve institucionale të Kosovës në këtë fushë, përfshirë Qendrën Qeveritare të Operacioneve të Sigurisë (SOC).
Ndërkaq, ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka vënë në pah rëndësinë e thellimit të bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë, koordinimit institucional dhe avancimit të kapaciteteve në përputhje me standardet e NATO-s dhe Bashkimit Evropian.
Njohësi i çështjeve të sigurisë, Avni Islami, është shprehur se një ndër sfidat kryesore të sigurisë në epokën e teknologjisë informative mbetet rritja e kërcënimeve kibernetike, sulmet ndaj sistemeve shtetërore, vjedhja dhe keqpërdorimi i të dhënave, si dhe përdorimi i teknologjisë për aktivitete me karakter kriminal dhe destabilizues.
“Veçanërisht shqetësues është fakti se këto kërcënime nuk kufizohen vetëm në dëmtimin e sistemeve teknologjike, por mund të cenojnë funksionimin e institucioneve, infrastrukturën kritike dhe sigurinë kombëtare. Përballja me to kërkon investime në kapacitete profesionale, mbrojtje të avancuar digjitale, shkëmbim të informacionit dhe bashkëpunim ndërmjet institucioneve të sigurisë”, ka thënë Islami.
Në kuadër të konferencës është diskutuar edhe për mundësinë e një agjende të përbashkët në fushën e sigurisë kibernetike, përmes ushtrimeve të përbashkëta, shkëmbimit të sigurt të informacionit dhe zhvillimit të programeve profesionale.
Konferenca po mbahet nga 24 deri më 27 nëntor në Tiranë dhe synon të kontribuojë në forcimin e kapaciteteve të të dyja vendeve përballë sfidave të reja të sigurisë në epokën e teknologjisë informative.

Fabrika e municionit në Gjakovë, Kurti paralajmëron prodhimin e parë testues deri në fund të vitit
Sveçla: Është avancuar sovraniteti në veri, Shala vlerëson rolin e Policisë dhe Agjencisë Kosovare të Intelegjencës
FSK-ja dhe Forcat e Armatosura të Shqipërisë synojnë shkëmbim më të madh të përvojave
Kurti: Vuçiq dërgoi paraushtarakë për t’i sulmuar policët e Kosovës
Sveçla: Fabrika e municionit, dëshmi e partneritetit strategjik Kosovë–Turqi
FSK avancon kapacitetet e mbështetjes luftarake, realizon qitje me mortaja 120 mm në Shqipëri
Inteligjenca artificiale dhe kërcënimet hibride, Kosova dhe Shqipëria bashkojnë forcat përballë kërcënimeve kibernetike
Kosova dhe Shqipëria promovojnë së bashku vlerat e trashëgimisë kulturore
Parlamenti Evropian miraton rezolutën për Vukovarin, i kërkon Serbisë hapjen e arkivave për 1.725 të zhdukurit