Prishtinë, 27 nëntor 2026 07:10
Në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës në Prishtinë është hapur ekspozita “Rikthim në traditë – Veshjet popullore shqiptare”, e cila përmes fotografive historike prezanton pasurinë e veshjeve tradicionale shqiptare nga treva të ndryshme.
Ekspozita është organizuar nga Agjencia Shtetërore e Arkivave të Kosovës në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave të Shqipërisë, në kuadër të Javës Kulturore Kosovë-Shqipëri dhe aktiviteteve për shënimin e 28 Nëntorit.
Përfaqësuesi i Arkivave të Shqipërisë, Denald Prifti, tha se fotografitë e ekspozuara paraqesin dëshmi autentike të trashëgimisë kulturore shqiptare, duke përfshirë veshjet tradicionale të burrave, grave dhe fëmijëve, si dhe ato të personaliteteve të rëndësishme historike.
“Në këtë ekspozitë shpalosen dëshmi të veçanta autentike të trashëgimisë sonë kulturore, përmes fotografive historike që prezantojnë kostume popullore nga treva të ndryshme shqiptare”, deklaroi Prifti.
Ndërkaq, zëvendësdrejtori ekzekutiv i Agjencisë Shtetërore të Arkivave të Kosovës, Mehmed Xhemajli, vuri në pah rëndësinë e xhubletës si një prej veshjeve më karakteristike të grave në zonat malore të Shqipërisë së Veriut.
Ai rikujtoi se xhubleta në vitin 2022 është përfshirë në Listën e Trashëgimisë Kulturore Jomateriale të UNESCO-s.
Përmes kësaj ekspozite synohet promovimi i vlerave të përbashkëta të trashëgimisë kombëtare shqiptare, shkëmbimi i përvojave profesionale dhe prezantimi i dëshmive me rëndësi historike e kulturore.
Organizatorët kanë theksuar se ruajtja dhe përcjellja e këtyre vlerave te gjeneratat e reja është thelbësore, në mënyrë që trashëgimia kulturore shqiptare të vazhdojë të mbetet pjesë e identitetit kombëtar.

Kosova dhe Shqipëria bashkojnë aktivitetet kulturore për festat e Nëntorit
Monumentet dhe asetet kulturore drejt mbrojtjes më të avancuar institucionale
Identiteti shqiptar prezantohet përmes kostumeve tradicionale në Kroaci
Dorëshkrimet e Gustav Majerit, dëshmi për lashtësinë dhe veçantinë e gjuhës shqipe
118 vjet nga Kongresi i Manastirit, 22 Nëntori shënon bashkimin e shqiptarëve përmes alfabetit
Instituti Albanologjik shpall muze zyrën ku punoi Rexhep Qosja
Parlamenti Evropian miraton rezolutën për Vukovarin, i kërkon Serbisë hapjen e arkivave për 1.725 të zhdukurit
Fabrika e municionit në Gjakovë, Kurti paralajmëron prodhimin e parë testues deri në fund të vitit
Studentët në Shqipëri themelojnë parti të re politike, quhet “Të Bashkuar për Shqipërinë”