Prishtinë, 25 nëntor 2026 07:43
Trashëgimia kulturore e Kosovës përfaqëson një pasuri të çmuar historike, arkitekturore dhe identitare, ruajtja e së cilës kërkon kujdes të vazhdueshëm dhe mekanizma të fuqishëm institucionalë. Në këtë drejtim, po synohet forcimi i mbikëqyrjes dhe mbrojtjes së monumenteve, aseteve kulturore dhe zonave të mbrojtura në të gjithë territorin e vendit.
Inspektorati për Trashëgimi Kulturore, i themeluar në shkurt të vitit 2018 në kuadër të Ministrisë së Kulturës, ka për detyrë të mbikëqyrë ligjshmërinë e ndërhyrjeve në asetet e trashëgimisë kulturore. Ky institucion ka kompetenca për të ndaluar punimet që kryhen pa leje në zonat e mbrojtura dhe në perimetrin e monumenteve, si dhe ndërhyrjet që nuk janë në përputhje me lejet e institucioneve përkatëse.
Tashmë, përmes një Projektligji të ri, synohet që ky inspektorat të transformohet në agjenci ekzekutive, duke fituar një pozitë më të avancuar institucionale dhe kapacitete më të fuqishme për ushtrimin e përgjegjësive të tij.
Projektligji, i cili mori miratimin në shqyrtim të parë në Kuvendin e Kosovës me 62 vota për, 8 kundër dhe një abstenim, parasheh kryesisht rregullimin e organizimit dhe procedurave të inspektimit, pa ndryshuar bazën ligjore që përcakton mbrojtjen e trashëgimisë kulturore.
Ministrja e Kulturës, Saranda Bogujevci, ka shpjeguar se qëllimi i kësaj reforme është riorganizimi i Inspektoratit ekzistues në nivel të një agjencie ekzekutive, e cila do të shërbejë si mekanizëm për zbatimin e legjislacionit në fuqi.
Sipas saj, ndryshimet nuk prekin përmbajtjen dhe aspektin normativ të mbrojtjes së trashëgimisë kulturore, të cilat vazhdojnë të rregullohen përmes legjislacionit bazë dhe ligjeve të veçanta.
“Me një reformë të tillë ligjore, ne rrisim kapacitetet inspektuese dhe konsolidojmë kushtet për inspektimin e trashëgimisë kulturore në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës”, ka theksuar Bogujevci.
Forcimi i mekanizmave të mbikëqyrjes shihet si një hap i rëndësishëm për ruajtjen e monumenteve, objekteve historike dhe vlerave kulturore që dëshmojnë historinë dhe zhvillimin e shoqërisë ndër breza.
Mbrojtja e kësaj trashëgimie nuk është vetëm përgjegjësi institucionale, por edhe një investim në ruajtjen e kujtesës historike dhe përcjelljen e vlerave kulturore te gjeneratat e ardhshme.

Identiteti shqiptar prezantohet përmes kostumeve tradicionale në Kroaci
Dorëshkrimet e Gustav Majerit, dëshmi për lashtësinë dhe veçantinë e gjuhës shqipe
118 vjet nga Kongresi i Manastirit, 22 Nëntori shënon bashkimin e shqiptarëve përmes alfabetit
Instituti Albanologjik shpall muze zyrën ku punoi Rexhep Qosja
Katër kinema publike bashkohen në rrjetin “KinoRrjeta” për ta ruajtur kulturën e filmit në Kosovë
Filmi “DUA” prezantohet në Nju-Jork, Kosova synon çmimin Oscar
Monumentet dhe asetet kulturore drejt mbrojtjes më të avancuar institucionale
Humbjet e Rusisë në Ukrainë, vlerësohen mbi 720 mijë ushtarë të vrarë
Mbrojtja e Thaçit rezervon të drejtën për apelimin e dënimit prej 17 muajsh
Sveçla: Asnjë përgjegjësi për vrasjen e Arlindës të mos mbetet pa u hetuar