Prishtinë, 26 nëntor 2026 07:35
Kosova dhe Shqipëria do të shënojnë së bashku festat e Nëntorit përmes një programi të përbashkët kulturor, i cili do të zgjasë deri më 6 dhjetor.
Programi përfshin koncerte, ekspozita, shfaqje teatrore dhe projeksione filmash, me synimin e promovimit të trashëgimisë historike, krijimtarisë artistike dhe lidhjeve kombëtare ndërmjet dy vendeve.
Java Kombëtare 2026, në kuadër të Javëve Kulturore Ndërkombëtare, është prezantuar nga ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit i Shqipërisë, Blendi Gonxhja.
Aktivitetet do të zhvillohen në disa qytete, përfshirë Tiranën, Prishtinën, Vlorën, Beratin, Korçën, Krujën, Lezhën dhe Tropojën, ndërsa programi do të përfshijë edhe Pogradecin dhe Manastirin.
Një prej aktiviteteve kryesore është ekspozita “Kosova e Kadaresë”, e hapur në Bibliotekën Kombëtare të Shqipërisë, e cila do të jetë e qasshme deri më 6 dhjetor. Ekspozita përmban dorëshkrime, artikuj dhe letra nga arkivi personal i shkrimtarit Ismail Kadare, që dëshmojnë interesimin e tij për Kosovën gjatë afro gjashtë dekadave.
Në kuadër të programit, Muzeu Kombëtar i Përgjimeve “Shtëpia me Gjethe” ka hapur edhe ekspozitën “Firmëtarët e Pavarësisë mes lavdisë dhe përndjekjes”, kushtuar delegatëve të Pavarësisë së Shqipërisë të vitit 1912, të cilët më vonë u përndoqën nga regjimi komunist.
Programi muzikor nis me koncertin “Tradita që na bashkon”, më 27 nëntor në Sheshin Skënderbej në Tiranë. Ndërkaq, Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe Valleve do të prezantojë programin “Për ty, Atdhe”, më 28 nëntor në Tiranë dhe më 29 nëntor në Vlorë.
Pjesë e aktiviteteve do të jenë edhe artistë nga Kosova. Më 30 nëntor, Kuarteti Harkor i Filarmonisë së Kosovës do të mbajë koncertin “Quartet in Colors” në Tiranë, ndërsa më 3 dhe 4 dhjetor do të organizohet festivali “Netët e Muzikës Shqiptare”.
Edhe kinematografia shqiptare do të jetë pjesë e programit përmes shfaqjes së filmave “Kur pranvera vonohet”, “Rojet e mjegullës” dhe “Kukumi”, si dhe dokumentarit “Shtëpia e Kombit”.
Aktivitetet plotësohen me ekspozita etnografike, programe për fëmijë dhe të rinj, si dhe nisma për promovimin e traditave shqiptare.
Sipas ministrit Gonxhja, Java Kombëtare synon të forcojë bashkëpunimin kulturor ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë, duke krijuar mundësi për shkëmbimin e përvojave dhe prezantimin e krijimtarisë artistike të të dy vendeve.

Monumentet dhe asetet kulturore drejt mbrojtjes më të avancuar institucionale
Identiteti shqiptar prezantohet përmes kostumeve tradicionale në Kroaci
Dorëshkrimet e Gustav Majerit, dëshmi për lashtësinë dhe veçantinë e gjuhës shqipe
118 vjet nga Kongresi i Manastirit, 22 Nëntori shënon bashkimin e shqiptarëve përmes alfabetit
Instituti Albanologjik shpall muze zyrën ku punoi Rexhep Qosja
Katër kinema publike bashkohen në rrjetin “KinoRrjeta” për ta ruajtur kulturën e filmit në Kosovë
Polonia vendos zonë ndalim-fluturimi pranë kufirit me Ukrainën, kërkon masa të ngjashme nga NATO-ja
Gashi: Në veri pati transformim, në politikën e jashtme mungoi përparimi
Kurti: Kosova e meriton statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE