Prishtinë, 11 tetor 2026 09:08
Qeveria e Kosovës e ka cilësuar si dëshmi të re të përfshirjes së Serbisë në sulmin e armatosur në Banjskë shfaqjen publike të Milan Radoiçiqit në një tubim të Partisë Përparimtare Serbe (SNS) në Kragujevc.
Radoiçiq, të cilin institucionet e Kosovës e konsiderojnë organizator të sulmit të 24 shtatorit 2023 në Banjskë, ku u vra rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, është parë më 9 tetor në një tubim të SNS-së, pranë Danilo Vuçiqit, djalit të presidentit serb Aleksandar Vuçiq.
Qeveria e Kosovës ka deklaruar se kjo paraqitje publike tregon se Serbia jo vetëm që nuk e ka ndjekur penalisht Radoiçiqin, por vazhdon ta tolerojë dhe ta mbrojë atë.
“Prania e tij është edhe një dëshmi tjetër e qartë” se sulmi në Banjskë ishte “planifikuar, financuar dhe organizuar nga shteti i Serbisë”, ka deklaruar Qeveria e Kosovës për Radion Evropa e Lirë.
Sipas autoriteteve kosovare, fakti që Radoiçiq shfaqet publikisht pranë familjes së presidentit serb duhet të jetë alarm për Bashkimin Evropian dhe vendet perëndimore.
Radoiçiq e ka pranuar më herët përgjegjësinë për organizimin e sulmit në Banjskë. Megjithatë, në Serbi ai vazhdon të jetë i lirë dhe ndaj tij, sipas raportimeve, nuk është ngritur aktakuzë për këtë rast.
Ndërkohë, ekspertja e sigurisë Maja Bjellosh e ka interpretuar paraqitjen e Radoiçiqit në tubimin e SNS-së si një mesazh politik dhe përpjekje për frikësimin e kundërshtarëve të pushtetit.
Sipas saj, prania e tij pranë Danilo Vuçiqit dëshmon gjithashtu për lidhjet politike dhe mbrojtjen që, sipas saj, zyrtarë të lartë shtetërorë dhe familja Vuçiq i ofrojnë Radoiçiqit.
Radoiçiq është nën sanksione të Shteteve të Bashkuara dhe Britanisë së Madhe për lidhje me krimin e organizuar ndërkombëtar, ndërsa Kosova ka lëshuar disa fletarrestime ndaj tij. Në gusht të vitit 2026, Prokuroria Speciale e Kosovës ngriti aktakuzë ndaj 20 personave, përfshirë Radoiçiqin, për dyshime për krime lufte kundër popullsisë civile në rajonin e Gjakovës gjatë luftës së viteve 1998–1999.

Organizatori i sulmit terrorist në Banjskë, Radoiçiq, pranë djalit të Vuçiqit në tubimin parazgjedhor të SNS-së në Kragujevc
Alarm për diasporën shqiptare: Vuçiq po përgatit pengesa për votuesit
Policia e Kosovës: Fushatat zgjedhore të Serbisë nuk lejohen në Kosovë
Zgjedhjet në Serbi, Janjiq: Ndikimi rus është jashtëzakonisht i madh
Kamberi i përgjigjet Vuçiqit: “Çfarë të pengon te shqiptarët e bashkuar?”
Zgjedhjet nën llupë: Iniciativat Qytetare në Serbi ngrenë pikëpyetje për fushatën dhe faljet e Vuçiqit
12 të vrarë dhe 300 të plagosur nga sulmi në aeroportin e Riadit, në Arabi
Qeveria e Kosovës: Shfaqja e Radoiçiqit në tubimin e SNS-së dëshmi e lidhjeve me Serbinë
Industria e mbrojtjes në Kosovë: Parashihet prodhimi i municioneve, dronëve e blindave