Prishtinë, 25 nëntor 2026 11:53
Qeveria e Kosovës ka publikuar një raport me të arriturat kryesore gjatë mandatit 2021–2026, duke theksuar se gjatë kësaj periudhe është shënuar rënie e shkallës së papunësisë, rritje ekonomike dhe shtim i investimeve publike.
Sipas raportit të publikuar nga ekzekutivi, shkalla e përgjithshme e papunësisë në Kosovë është ulur në 10.8 për qind, për të cilën Qeveria thotë se përbën rënien më të madhe historike të matur nga Agjencia e Statistikave të Kosovës.
Në raport thuhet se rritja ekonomike gjatë këtij mandati ishte mesatarisht 6 për qind në vit, ndërsa gjatë vitit 2025 janë ekzekutuar 729 milionë euro për investime kapitale në projekte strategjike.
Ekzekutivi ka theksuar gjithashtu se borxhi publik është ulur në 16 për qind të Bruto Produktit Vendor (BPV), nga 22.4 për qind sa ishte në vitin 2020.
Një tjetër e dhënë e paraqitur në raport lidhet me qarkullimin e bizneseve, i cili, sipas Qeverisë, është dyfishuar, nga 12.5 miliardë euro në vitin 2019 në 25 miliardë euro në vitin 2025. Ndërkohë, fitimi i korporatave, bazuar në të dhënat tatimore, thuhet se është rritur nga 900 milionë euro në rreth 2.3 miliardë euro.
Në sektorin e bujqësisë, Qeveria ka bërë të ditur se prodhimi vendor ka arritur vlerën prej rreth 1.19 miliardë eurosh në vitin 2025, që paraqet rritje prej 17.8 për qind krahasuar me vitin paraprak.
Edhe eksporti i produkteve bujqësore ka shënuar rritje, duke arritur në 186.6 milionë euro në vitin 2025, apo rreth 152 për qind më shumë sesa në vitin 2020.
Në mesin e të arriturave të tjera, Qeveria ka përmendur edhe ringritjen e ndërmarrjeve publike, përfshirë Telekomin, KEK-un dhe Postën e Kosovës.
Sa i përket energjisë, është veçuar investimi prej 57.87 milionë eurosh në modernizimin e turbinave të Termocentralit “Kosova B”, të cilin ekzekutivi e ka cilësuar si investimin më të madh në këtë sektor në mbi 40 vjet.
Në fushën e mbrojtjes, Qeveria ka theksuar se buxheti është trefishuar dhe se arsenali i Forcës së Sigurisë së Kosovës është zgjeruar në mbi 40 lloje të sistemeve të armatimit.
Raporti përfshin gjithashtu investimet në shëndetësi, mbështetjen për gratë lehona, shtesat për fëmijë, si dhe investimet në sport, kulturë dhe trashëgimi kulturore.

Një muaj pas aksidentit në Gjakovë, e mitura ndërron jetë
Mbrojtja e Thaçit rezervon të drejtën për apelimin e dënimit prej 17 muajsh
Sveçla: Asnjë përgjegjësi për vrasjen e Arlindës të mos mbetet pa u hetuar
Mbështetja për Luginën e Preshevës, 4 milionë euro të parapara për vitin e ardhshëm
Radoiçiq dhe Veselinoviq dyshohet se janë arratisur së bashku në Kirgistan
Kosova shënon rekord, investimet e huaja kalojnë 1 miliard euro
Qeveria publikon të arriturat e mandatit 2021–2026, thekson rënien e papunësisë në 10.8%
Aida Çoroviq: Serbia duhet të përballet me të vërtetën për Kosovën- t’a njoh pavarësinë dhe të hapë arkivat politike
Monumentet dhe asetet kulturore drejt mbrojtjes më të avancuar institucionale