Prishtinë, 24 nëntor 2026 09:09
Analisti i çështjeve të sigurisë, Arben Fetoshi, ka paralajmëruar për vazhdimësinë e politikës konfrontuese dhe pretendimeve territoriale të Serbisë, pavarësisht ndryshimeve të mundshme politike në Beograd.
Në një reagim të publikuar, Fetoshi vlerëson se menjëherë pas zgjedhjes së kryetarit të Kuvendit dhe para formimit të qeverisë së re serbe, po shfaqen presione politike për një qasje edhe më kërcënuese ndaj Kosovës dhe rajonit.
Ai veçon kërkesën e Këshillit Nacional Serb organizatë që ka mbështetur Listën Studentore, për rikthimin e Ministrisë për Kosovën me arsyetimin e forcimit të mbrojtjes së integritetit territorial të Serbisë.
Sipas Fetoshit, kjo kërkesë lidhet edhe me programin e Listës Studentore, e cila ka paralajmëruar ndjekje penale ndaj përfaqësuesve të regjimit që kanë arritur dhe zbatuar marrëveshje që kjo listë i konsideron antikushtetuese dhe në dëm të Serbisë.
Fetoshi thekson se deklarata e SNV-së nuk duhet parë vetëm si kalkulim për ndërtimin e një strukture institucionale më afër Kosovës, por si përpjekje për të legjitimuar një qasje edhe më konfrontuese në pretendimet territoriale të Serbisë.
Në analizën e tij, ai ndërlidh zhvillimet në Serbi edhe me kërcënimet e liderit të politikës separatiste në Republikën Serbe të Bosnjës, Millorad Dodik, i cili ka paralajmëruar bllokimin e vendimmarrjes në Bosnjë-Hercegovinë pas një vendimi të Gjykatës Kushtetuese.
Fetoshi vlerëson se retorika e Dodikut, aleatit të Kremlinit, që kërcënon funksionimin e Marrëveshjes së Dejtonit, mund të shërbejë si presion për të arsyetuar qasjen e pushtetit të ri në Serbi.
Sipas tij, përputhja e qëndrimeve të Dodikut me programin e Listës Studentore, veçanërisht në kontestimin e kompetencave të Përfaqësuesit të Lartë Ndërkombëtar dhe përdorimin e vetos si instrument bllokues, sinjalizon vazhdimësinë gjeopolitike të politikës serbe.
Në përfundim, Fetoshi paralajmëron se kjo qasje mund të sjellë sfidim të mëtejshëm të Perëndimit dhe rrezikim të paqes e stabilitetit në Ballkan.

“Millosheviqi ende në kokat e tyre”, Despot kritikon narrativat e Listës Studentore
Konjufca ia kërkon homologut grek njohjen e Kosovës
Shqipëria mohon çdo përfshirje në sulmin ndaj anijes luftarake ruse
Serwer: Beogradi e di se pa njohjen e Kosovës nuk ka anëtarësim në BE
Kurti i drejtohet Zelenskyt: Njiheni Kosovën, mos i lini hapësirë propagandës së Putinit
Rashiq: Lista Serbe është elementi më destruktiv në historinë e serbëve
Radoiçiq dhe Veselinoviq dyshohet se janë arratisur së bashku në Kirgistan
Identiteti shqiptar prezantohet përmes kostumeve tradicionale në Kroaci
Mbi 1.700 familje presin përgjigje, Picula kërkon nga Serbia zbardhjen e fatit të të zhdukurve