Prishtinë, 25 nëntor 2026 14:43
Me moton “Femicidi është urgjencë kombëtare”, në Prishtinë është mbajtur protestë kundër vrasjes së grave, ku nga institucionet është kërkuar njohja e femicidit si vepër e veçantë penale në Kodin Penal të Kosovës.
Protesta është organizuar nga Rrjeti i Grave të Kosovës, në Ditën Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës ndaj Grave, më 25 nëntor.
Protestuesit janë nisur nga sheshi “Zahir Pajaziti”, duke marshuar drejt objektit të Qeverisë së Kosovës, me kërkesën për përgjegjësi institucionale, drejtësi për viktimat dhe masa konkrete për parandalimin e vrasjeve të grave.
Aktivistja Zana Hoxha ka kërkuar që femicidi të përcaktohet si vepër e veçantë penale, duke theksuar se hetimet duhet të përfshijnë edhe rrethanat që i paraprijnë vrasjes së një gruaje.
Ajo ka theksuar se kur një grua vritet për shkak të gjinisë së saj, ligji duhet ta cilësojë këtë si femicid.
Ndërkaq, Besarta Breznica nga Rrjeti i Grave të Kosovës ka përmendur rastin e vrasjes së Arlinda Zekajt, duke kërkuar llogaridhënie institucionale për mundësitë e humbura të parandalimit të kësaj vrasjeje.
Ajo ka kërkuar që institucionet të reagojnë që në raportimin e parë të dhunës, t’i marrin seriozisht kërcënimet dhe të vlerësojnë rrezikun me qëllim të mbrojtjes së jetës së grave.
“Nuk duhet të presim deri në vrasjen e një gruaje për të analizuar se ku ka dështuar sistemi”, ka deklaruar Breznica.
Protestuesit kanë kërkuar që institucionet të ndërmarrin veprime konkrete për mbrojtjen e grave dhe parandalimin e rasteve të tjera të dhunës dhe vrasjeve.

Mashtrim në emër të Policisë dhe Agjencisë së Sigurisë Kibernetike, qytetarëve u kërkohet kujdes
Qeveria publikon të arriturat e mandatit 2021–2026, thekson rënien e papunësisë në 10.8%
Një muaj pas aksidentit në Gjakovë, e mitura ndërron jetë
Mbrojtja e Thaçit rezervon të drejtën për apelimin e dënimit prej 17 muajsh
Sveçla: Asnjë përgjegjësi për vrasjen e Arlindës të mos mbetet pa u hetuar
Mbështetja për Luginën e Preshevës, 4 milionë euro të parapara për vitin e ardhshëm
Protestë në Prishtinë kundër vrasjes së grave, kërkohet që femicidi të bëhet vepër e veçantë penale