Prishtinë, 22 nëntor 2026 20:50
Profesori amerikan Daniel Serwer ka deklaruar se Serbia nuk mund të bëhet anëtare e Bashkimit Evropian pa i normalizuar plotësisht marrëdhëniet me Kosovën, proces që sipas tij duhet të përfundojë me njohjen e pavarësisë së Kosovës dhe shkëmbimin e ambasadorëve ndërmjet dy vendeve.
“Është shumë e qartë për këdo që ka tru në Beograd se Serbia nuk do të hyjë në Bashkimin Evropian derisa të normalizojë plotësisht marrëdhëniet me Kosovën, që sipas meje do të thotë ta njohë dhe të shkëmbejë ambasadorë me Kosovën”, ka deklaruar Serwer.
Serwer ka theksuar se të paktën pesë shtete të tjera anëtare të BE-së nuk do ta pranonin Serbinë në Union pa normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën. Surroi ka vlerësuar se ky numër mund të jetë edhe më i madh.
Profesori amerikan ka thënë se nuk e sheh të nevojshme që kushtet ndaj Serbisë të përsëriten vazhdimisht, pasi ato janë të qarta prej kohësh. Sipas tij, shqetësimi më i madh lidhet me mungesën e përparimit të Kosovës drejt integrimit evropian.
Ai ka shprehur shqetësim për ngecjen e Kosovës në procesin e anëtarësimit në Këshillin e Evropës dhe për mungesën e përparimit drejt marrjes së statusit të vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
“Nuk kam nevojë të shkruaj dhe të bërtas kushtet, sepse mendoj se kushtet kanë qenë prej kohësh shumë, shumë të qarta. Jam shumë më i shqetësuar për atë që thua për Kosovën dhe mungesën e përparimit të saj drejt Këshillit të Evropës dhe drejt kandidaturës”, ka thënë Serwer.
Ai ka vlerësuar se Kosova përballet me një të ardhme më të vështirë sesa e kaluara, pjesërisht edhe për shkak të qëndrimeve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Deklaratat e Serwerit rikthejnë në vëmendje çështjen e njohjes së Kosovës si një prej pengesave kryesore në rrugën evropiane të Serbisë, ndërsa njëkohësisht ngrenë shqetësimin për ngecjen e vetë Kosovës në proceset e integrimit ndërkombëtar.

Kurti i drejtohet Zelenskyt: Njiheni Kosovën, mos i lini hapësirë propagandës së Putinit
Rashiq: Lista Serbe është elementi më destruktiv në historinë e serbëve
Kosova angazhon kompani amerikane për lobim në Uashington
Specialja në rend dite, deputetët sot përballen me votimin e ligjit
Kamberi e Memeti të kujdesshëm ndaj pushtetit të ri: Shqiptarët presin rezultate, jo premtime
Terras kritikon BE-në për këngën nacionaliste serbe në Bruksel: Provokim i qëllimshëm ose injorancë e pastër
Serwer: Beogradi e di se pa njohjen e Kosovës nuk ka anëtarësim në BE
Rusia rrit tensionet me NATO-n, Aleanca mblidhet pas incidentit në Poloni
Ballkani mposht Gjilanin me përmbysje
Vdekje në vendin e punës në Istog, Prokuroria nis hetimet