Prishtinë, 10 tetor 2026 19:19
Kosova po planifikon të ndërtojë një industri të saj të mbrojtjes, përmes themelimit të Korporatës Shtetërore të Industrisë së Mbrojtjes, e cila do të përfshijë fabrika për prodhimin e municioneve, dronëve, sistemeve kundër dronëve, pajisjeve elektronike ushtarake dhe automjeteve të blinduara.
Sipas një draft-konceptdokumenti të finalizuar nga Ministria e Mbrojtjes, korporata do të organizohet në gjashtë divizione dhe do të ketë në fokus zhvillimin e kapaciteteve vendore të industrisë së mbrojtjes.
Një nga prioritetet kryesore është prodhimi i municioneve. Dokumenti parasheh ndërtimin e një fabrike moderne në pjesën perëndimore të Kosovës, ndërsa si një prej lokacioneve të mundshme përmendet Jahoci i Gjakovës. Për prodhimin e municioneve parashihet përdorimi i teknologjive bashkëkohore turke ose gjermane.
Korporata do të ketë gjithashtu një divizion për sistemet pa pilot, i cili do të merret me zhvillimin dhe prodhimin e dronëve taktikë dhe sistemeve kundër dronëve. Në këtë kuadër parashihet edhe krijimi i një laboratori kombëtar të dronëve, në bashkëpunim me kompani vendore dhe institucione kërkimore.
Një tjetër komponent i rëndësishëm është divizioni për elektronikën dhe sistemet C4ISR, që do të fokusohet në komunikimet taktike, sensorët dhe sistemet e komandës e kontrollit. Sipas dokumentit, kjo do të synojë rritjen e pavarësisë teknologjike të Forcës së Sigurisë së Kosovës.
Në plan është edhe zhvillimi i kapaciteteve për automjete ushtarake, fillimisht për mirëmbajtje, riparim dhe rindërtim, përfshirë rifabrikimin e automjeteve të blinduara.
Përveç pajisjeve të rënda ushtarake, industria e planifikuar do të mund të prodhojë edhe pajisje individuale për pjesëtarët e FSK-së, si uniforma, helmeta dhe jelekë antiplumb.
Korporata dhe parku industrial i mbrojtjes pritet të funksionojnë nën një agjenci të re në kuadër të Ministrisë së Mbrojtjes. Parashihet gjithashtu përfshirja e kompanive private, investimeve të huaja dhe partneriteteve ndërkombëtare për bashkëprodhim dhe transferim të teknologjisë.
Drafti e lidh këtë nismë me nevojën për uljen e varësisë së Kosovës nga importi i pajisjeve ushtarake, forcimin e kapaciteteve të sigurisë dhe zhvillimin ekonomik. Dokumenti thekson se Kosova aktualisht ka mungesë të kapaciteteve teknike dhe infrastrukturore për prodhimin e teknologjive të avancuara të mbrojtjes.
Në kuadër të këtij procesi parashihet edhe hartimi i një Ligji për Industrinë e Mbrojtjes, i cili do të rregullonte prodhimin, tregtimin, eksportin dhe licencimin e armëve dhe pajisjeve të mbrojtjes.

Shiroka Pula dhe Jashari diskutojnë për sigurinë në Kosovë
29 kadetë të FSK-së nisin rrugëtimin ushtarak në Akademinë e Forcave të Armatosura të Shqipërisë
Protesta vazhdon në Prishtinë, Policia raporton hedhje të mjeteve piroteknike
FSK e gatshme për situata komplekse operacionale dhe taktike
Gecaj: Tre vjet pas Banjskës, Kosova ka forcuar kapacitetet e sigurisë
FSK-ja rrit nivelin profesional, radhëve të saj i bashkohen oficerë të rinj të mjekësisë
Organizatori i sulmit terrorist në Banjskë, Radoiçiq, pranë djalit të Vuçiqit në tubimin parazgjedhor të SNS-së në Kragujevc
Gjykimi për spiunazh, Prokuroria: Shabani tentoi ta lidhte spitalin e UÇK-së në Mollopolc me “Shtëpinë e Verdhë”
Alarm për diasporën shqiptare: Vuçiq po përgatit pengesa për votuesit