Preshevë, 8 tetor 2026 13:09
Deputeti shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi, i është përgjigjur deklaratave të presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, i cili, sipas Kamberit, gjatë një deklarimi në mediat serbe e ka cilësuar atë si “më të keqin” ndër shqiptarët.
Kamberi ka kërkuar nga Vuçiqi të shpjegojë konkretisht se cilat qëndrime apo kërkesa të tij e kanë shtyrë presidentin serb në një vlerësim të tillë.
“Do të doja ta dija: pse? Çfarë po i pengojka tek unë?”, ka shkruar Kamberi.
Ai ka renditur disa nga çështjet për të cilat ka kërkuar të drejta për shqiptarët e Luginës së Preshevës, duke përmendur zbatimin e marrëveshjeve të nënshkruara nga Serbia, diskriminimin, arsimin në gjuhën shqipe, përfaqësimin proporcional, zhvillimin ekonomik dhe fondet për komunat shqiptare.
Kamberi ka rikujtuar edhe Rezolutën për të drejtat e shqiptarëve, të cilën e ka paraqitur në procedurë parlamentare në Kuvendin e Serbisë. Sipas tij, pjesë e angazhimit të tij politik kanë qenë edhe kërkesat për ballafaqimin e Serbisë me krimet e luftës dhe qëndrimi i tij lidhur me gjenocidin në Srebrenicë.
Një pjesë të veçantë të reagimit të tij, Kamberi ia ka kushtuar bashkimit politik të shqiptarëve të Luginës së Preshevës.
“Ne nuk jemi bashkuar kundër askujt. Jemi bashkuar për të përfaqësuar më mirë qytetarët që na kanë votuar”, ka deklaruar ai.
Ai ka ngritur gjithashtu pyetjen nëse bashkimi politik i shqiptarëve mund të jetë arsyeja që, sipas tij, ka shkaktuar shqetësim te pushteti në Serbi.
“Çfarë i pengon Vuçiqit te shqiptarët e bashkuar?”, ka pyetur Kamberi.
Në reagimin e tij, deputeti shqiptar është distancuar edhe nga shprehja “100 për një”, duke theksuar se personalisht nuk e ka përdorur kurrë atë dhe se nuk ka kërcënuar askënd në emër të kombit shqiptar.
“Sa për mua personalisht, nuk kam thënë kurrë ‘100 për një’. Nuk kam kërcënuar askënd me hakmarrje në emër të kombit tim. Nuk kam kërkuar që për një shqiptar të vriten 100 tjerë”, ka shkruar Kamberi.
Ai i ka kërkuar Vuçiqit që, në vend të etiketimit të tij si “më i keqi”, të përgjigjet konkretisht nëse ndonjëra prej kërkesave të tij është antikushtetuese, antidemokratike apo antievropiane.
Kamberi ka theksuar se kërkesat e tij, sipas tij, nuk synojnë t’u mohojnë të drejtat qytetarëve serbë.
“Unë nuk kërkoj të drejta për shqiptarët duke ua mohuar ato serbëve. Kërkoj barazi, përfaqësim dhe respekt për të drejtat që u takojnë të gjithë qytetarëve”, ka deklaruar ai.
Reagimi i Kamberit vjen në një periudhë kur partitë shqiptare në Luginën e Preshevës kanë bashkuar forcat në një listë të përbashkët për zgjedhjet parlamentare të Serbisë të 25 tetorit, me synimin për të siguruar përfaqësim të përbashkët politik të shqiptarëve në Parlamentin e Serbisë.

Zgjedhjet nën llupë: Iniciativat Qytetare në Serbi ngrenë pikëpyetje për fushatën dhe faljet e Vuçiqit
Kamberi: Diskriminimi shtetëror serb ndaj shqiptarëve kërkon përgjigje të përbashkët
Shiroka-Pula nis zyrtarisht mandatin si presidente e Kosovës
Kosova nuk lejon fushatën e Serbisë në territorin e saj, Policia ndërhyn në Mitrovicë të Veriut për të ndaluar aktivitetin e Listës Serbe
Serbia synon monopolin politik mbi serbët në Kosovë
Kurti uron Shiroka-Pulën: Do të punojmë bashkë për suksesin e ish-krerëve të UÇK-së në apel
Kamberi i përgjigjet Vuçiqit: “Çfarë të pengon te shqiptarët e bashkuar?”
Kuçi: Aktorët e jashtëm mund të shfrytëzojnë tensionet për ta destabilizuar Kosovën
Gjykimi për krime lufte në Gjilan, dëshmitari: “Me gjakun tim më vizatuan simbolet serbe në trup”