Prishtinë, 21 nëntor 2026 06:19
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i ka bërë thirrje presidentit të Ukrainës, Volodymyr Zelensky, që ta njohë pavarësinë e Kosovës, duke vlerësuar se një vendim i tillë do të rrëzonte pretendimet e presidentit rus, Vladimir Putin, për ta përdorur rastin e Kosovës si justifikim për aneksimin e territoreve.
Në një opinion të publikuar në gazetën ukrainase *Kyiv Post*, Kurti ka argumentuar se njohja e Kosovës nga Ukraina nuk do të ishte një favor ndaj Prishtinës, por një kontribut për forcimin e rendit ndërkombëtar dhe respektimin e integritetit territorial të shteteve.
Kurti ka rikujtuar deklaratën e Zelenskyt të bërë në gusht në Beograd, ku presidenti ukrainas kishte thënë se qëndrimi i Ukrainës për mosnjohjen e Kosovës mbetet i pandryshuar. Sipas Kurtit, është domethënëse që kjo deklaratë u bë në kryeqytetin e Serbisë, një prej aleatëve më të afërt të Rusisë.
Ai ka vënë në pah dallimin mes qëndrimit të Ukrainës ndaj Kosovës dhe mbështetjes që Prishtina i ka dhënë vazhdimisht Kievit që nga fillimi i agresionit rus. Kosova, sipas tij, e ka dënuar agresionin e Moskës, është përafruar me sanksionet e SHBA-së dhe Bashkimit Evropian, ka strehuar gazetarë ukrainas dhe ka kontribuar me ndihmë e trajnime ushtarake.
Duke iu referuar pretendimeve të Putinit për Kosovën dhe Krimenë, Kurti ka theksuar se këto dy raste nuk mund të barazohen, pasi kanë dallime thelbësore historike, juridike dhe politike.
Ai ka rikujtuar se pavarësia e Kosovës erdhi pas viteve të represionit dhe aparteidit ndaj shqiptarëve, luftës, spastrimit etnik dhe krimeve të kryera nga regjimi serb, ndërhyrjes së NATO-s më 1999, administrimit ndërkombëtar dhe një procesi të gjatë diplomatik.
Në anën tjetër, sipas Kurtit, Rusia e aneksoi Krimenë përmes përdorimit të forcës ushtarake, duke tentuar më pas ta justifikojë këtë veprim përmes krahasimeve me Kosovën.
“Që Ukraina ta njohë Kosovën do të thoshte t’ia demaskonte Putinit blofin”, ka shkruar Kurti, duke argumentuar se një njohje e tillë do ta rrëzonte pretendimin rus se Perëndimi nuk e respekton të drejtën ndërkombëtare.
Në përfundim, kryeministri i Kosovës i ka bërë thirrje Zelenskyt që ta rishqyrtojë qëndrimin e Ukrainës dhe ta njohë pavarësinë e Kosovës.
“Krimea është Ukrainë. Dhe Kosova është Kosovë”, ka përfunduar Kurti shkrimin e tij në *Kyiv Post*.

Rashiq: Lista Serbe është elementi më destruktiv në historinë e serbëve
Kosova angazhon kompani amerikane për lobim në Uashington
Specialja në rend dite, deputetët sot përballen me votimin e ligjit
Kamberi e Memeti të kujdesshëm ndaj pushtetit të ri: Shqiptarët presin rezultate, jo premtime
Terras kritikon BE-në për këngën nacionaliste serbe në Bruksel: Provokim i qëllimshëm ose injorancë e pastër
Kosova ndalon tregtimin e energjisë elektrike me kompanitë serbe
Vdekje në vendin e punës në Istog, Prokuroria nis hetimet
Sveçla: Fabrika e municionit, dëshmi e partneritetit strategjik Kosovë–Turqi
118 vjet nga Kongresi i Manastirit, 22 Nëntori shënon bashkimin e shqiptarëve përmes alfabetit
Ukraina dyshohet për sulmin me dron ndaj anijes ruse në Gjirin e Finlandës