Preshevë, 18 nëntor 2026 21:29
Deputetët shqiptarë në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi dhe Visar Memeti, kanë shprehur optimizëm të matur lidhur me ndryshimet politike në Serbi, pas fitores së Listës Studentore në zgjedhjet parlamentare të 25 tetorit, e cila i dha fund qeverisjes 14-vjeçare të Partisë Përparimtare Serbe të Aleksandar Vuçiqit.
Dy përfaqësuesit shqiptarë presin që ndryshimi i pushtetit të sjellë një qasje më pozitive edhe ndaj pozitës së shqiptarëve në Luginën e Preshevës, megjithëse theksojnë se mbetet të shihet se çfarë drejtimi do të marrë qeverisja e re.
Deputeti Shaip Kamberi ka thënë se shqiptarët duhet të presin zhvillimet e ardhshme pa krijuar pritje të tepruara, por duke mos e përjashtuar mundësinë e ndryshimeve pozitive.
Ai ka theksuar se Serbia duhet të largohet nga politikat hegjemoniste dhe të përcaktojë qartë orientimin e saj politik, duke vlerësuar se integrimi në Bashkimin Evropian është alternativa e vetme strategjike për këtë shtet.
“Ne jemi në pritje, jemi optimistë, por jemi optimistë të moderuar. Nuk mund të shpresojmë që do të ketë kumeditë çfarë ndryshimi, por duhet t’i japim hapësirë a do të jetë në gjendje Serbia të lëvizë nga pozicionet aktuale”, ka deklaruar Kamberi.
Edhe deputeti Visar Memeti e ka cilësuar ndryshimin politik si zhvillim pozitiv, por ka paralajmëruar se ende nuk ka një pasqyrë të qartë për drejtimin që do të marrë pushteti i ri.
Sipas tij, përvoja e 14 viteve të fundit, gjatë të cilave problemet e shqiptarëve nuk kanë marrë zgjidhje, kërkon që pritjet të shoqërohen me kujdes dhe vlerësim të veprimeve konkrete.
Gjatë mandatit të ri parlamentar, Kamberi dhe Memeti kanë paralajmëruar se do të fokusohen në çështjet kryesore që prekin shqiptarët e Luginës së Preshevës.
Ndër prioritetet e tyre kanë përmendur integrimin e shqiptarëve në institucionet shtetërore, njohjen e diplomave, ndalimin e pasivizimit të adresave dhe zhvillimin ekonomik të zonës.
Dy deputetët kanë shprehur gatishmëri për dialog, bashkëpunim dhe partneritet me autoritetet e reja në Serbi, por kanë bërë të qartë se kjo nuk nënkupton heqje dorë nga kërkesat e shqiptarëve.
Në zgjedhjet parlamentare të 25 tetorit, tetë parti shqiptare garuan në kuadër të Koalicionit Shqiptar, duke siguruar dy ulëse në Kuvendin e Serbisë.
Ndërkaq, Lista Studentore doli fituese e zgjedhjeve me 140 nga 250 mandatet parlamentare, duke e nxjerrë nga pushteti partinë e Vuçiqit, e cila qeverisi Serbinë për 14 vjet.
Megjithatë, mbetet e paqartë nëse shumica e re parlamentare do të ndërtojë bashkëpunim me përfaqësuesit e pakicave dhe në çfarë mase do t’i përmbushë zotimet për avancimin e të drejtave të tyre.

Rashiq: Lista Serbe është elementi më destruktiv në historinë e serbëve
Kosova angazhon kompani amerikane për lobim në Uashington
Specialja në rend dite, deputetët sot përballen me votimin e ligjit
Terras kritikon BE-në për këngën nacionaliste serbe në Bruksel: Provokim i qëllimshëm ose injorancë e pastër
Kosova ndalon tregtimin e energjisë elektrike me kompanitë serbe
Kuçi: BE nuk mundet që në të njëjtën kohë të kërkojë respektim të respektim të integritetit territorial dhe të tolerojë narrativa serbe
Instituti Albanologjik shpall muze zyrën ku punoi Rexhep Qosja
Aksident në komunikacion, vdes një person
Miratohet në parim Projektbuxheti për vitin 2027