Preshevë, 7 tetor 2026 19:29
Udhëheqësi i “Koalicionit Shqiptar”, njëherit deputet në Parlamentin e Serbisë Shaip Kamberi, ka deklaruar se synim i këtij koalicioni që garon në zgjedhjet paralamentare në Serbi, është mbrojtja e të drejtave të shqiptarëve në Luginën e Preshevës, dhe do të jetë pikë bashkimi, pavarësisht dallimeve politike apo qëndrimeve të ndryshme mes subjekteve shqiptare.
Çështjet që lidhen me pozitën e shqiptarëve në Luginën e Preshevës kanë qenë prej vitesh në qendër të kritikave të përfaqësuesve shqiptarë ndaj institucioneve të Serbisë. Ata kanë ngritur shqetësime për pasivizimin e adresave, përfaqësimin proporcional në institucionet publike, përdorimin e gjuhës shqipe, arsimin dhe zhvillimin ekonomik të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës.
Kamberi, duke folur për përgjegjësinë që bart me drejtimin e “Koalicionit Shqiptar”, ka theksuar se lufta kundër diskriminimit shtetëror ndaj shqiptarëve duhet të jetë një nga prioritetet kryesore të përfaqësimit politik.
“Në një kohë kur shumë gjëra na ndajnë, lufta kundër diskriminimit shtetëror ndaj shqiptarëve duhet të na bëjë bashkë”, ka deklaruar Kamberi.
Ai ka thënë se besimi i marrë nga qytetarët përmes këtij koalicioni sjell edhe përgjegjësi për përfaqësim dinjitoz, mbrojtje të të drejtave dhe llogaridhënie para qytetarëve.
“Si prijës i ‘Koalicionit Shqiptar’, e ndiej përgjegjësinë që sjell ky besim. Përkushtimi im mbetet përfaqësimi me dinjitet, mbrojtja e të drejtave dhe llogaridhënia ndaj qytetarëve”, është shprehur ai.
Kamberi ka shtuar se zotimet ndaj qytetarëve duhet të dëshmohen përmes punës së përditshme, duke vënë theksin te përgjegjësia e përfaqësuesve shqiptarë për të adresuar çështjet që prekin komunitetin shqiptar në Luginë.
“Fjalën e dhënë duhet ta dëshmojmë përmes punës së përditshme”, ka përfunduar Kamberi.
Lista e Koalicionit Shqiptar përbëhet prej 10 kandidatëve: 5 gra dhe 5 burra, nga Presheva, Bujanoci, Medvegja dhe Pazari i Ri.

Shiroka-Pula nis zyrtarisht mandatin si presidente e Kosovës
Kosova nuk lejon fushatën e Serbisë në territorin e saj, Policia ndërhyn në Mitrovicë të Veriut për të ndaluar aktivitetin e Listës Serbe
Serbia synon monopolin politik mbi serbët në Kosovë
Kurti uron Shiroka-Pulën: Do të punojmë bashkë për suksesin e ish-krerëve të UÇK-së në apel
Kuvendi miraton ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara
Shiroka-Pula pas zgjedhjes presidente: Do të jem presidente e të gjithë qytetarëve
Kamberi: Diskriminimi shtetëror serb ndaj shqiptarëve kërkon përgjigje të përbashkët
Qeveria ndan 15 milionë euro për subvencionimin e faturave të energjisë për familjet e cenueshme