Mitrovicë e Veriut, 7 tetor 2026 15:38
Policia e Kosovës ka ndërhyrë sot në ambientet e Shkollës Teknike në Mitrovicën e Veriut, pas informacioneve operative se në objekt po zhvillohej një tubim parazgjedhor në kuadër të fushatës për zgjedhjet parlamentare në Serbi.
Zëvendëskomandanti i Policisë së Kosovës për rajonin e Veriut, Veton Elshani, ka konfirmuar se policia ka hyrë në objekt dhe u ka kërkuar personave të mbledhur në sallë që të largoheshin.
Sipas Elshanit, institucionet e Kosovës kishin dhënë udhëzime që në territorin e Republikës së Kosovës të mos lejoheshin tubime apo aktivitete parazgjedhore të lidhura me zgjedhjet e një shteti tjetër.
“Ne morëm informacion se në Shkollën Teknike po mbahet një fushatë parazgjedhore për zgjedhjet në Serbi. Tashmë kishim udhëzime nga autoritetet që të mos lejonim asnjë tubim parazgjedhor të Serbisë në territorin e Kosovës”, ka deklaruar Elshani.
Ai ka konfirmuar se zyrtarët policorë kanë hyrë në ndërtesën e shkollës, ku në atë moment kishte një numër të konsiderueshëm personash.
“Ne hymë brenda. Deri atëherë njerëzit tashmë po hynin në sallë dhe ne u thamë të dilnin jashtë”, ka thënë Elshani.
Sipas tij, personat e pranishëm kanë pretenduar se bëhej fjalë për një aktivitet arsimor. Megjithatë, Policia e Kosovës, bazuar në informacionet operative që kishte pranuar, e ka trajtuar aktivitetin si tubim parazgjedhor.
“Ne tashmë kishim informacione operative se ishte një tubim parazgjedhor. Përndryshe, nuk do të kishim hyrë atje nëse do të ishte vërtet një edukim”, ka deklaruar Elshani.
Pas kërkesës së policisë, të pranishmit janë larguar nga salla pa incidente.
Në vendngjarje janë parë edhe zyrtarë të Listës Serbe, ndërsa deri në këto momente nuk ka konfirmim zyrtar se kush e kishte organizuar takimin dhe cilët persona apo struktura ishin të përfshira në të.
Ngjarja vjen në kohën kur në Serbi po zhvillohet fushata për zgjedhjet parlamentare të 25 tetorit. Institucionet e Kosovës kanë theksuar se aktivitetet politike dhe elektorale të një shteti tjetër nuk mund të zhvillohen në territorin e Republikës së Kosovës pa autorizimin dhe në kundërshtim me rregullat e institucioneve vendore.
Lista Serbe mobilizoi zyrtarët e vetë javën e kaluar dhe morën pjesë në tubimin e Aleksander Vuçiqit në Serbi, ndërsa edhe ky tubim që u ndalua raportohet të jetë pjesë e fushatës në Serbi.

Serbia synon monopolin politik mbi serbët në Kosovë
Kurti uron Shiroka-Pulën: Do të punojmë bashkë për suksesin e ish-krerëve të UÇK-së në apel
Kuvendi miraton ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara
Shiroka-Pula pas zgjedhjes presidente: Do të jem presidente e të gjithë qytetarëve
Kurti: Procesi i Berlinit të rikonfigurohet, Kosova kërkon prova, jo premtime
Koalicioni Shqiptar zyrtarizon listën për zgjedhjet e 25 tetorit në Serbi
Qeveria ndan 15 milionë euro për subvencionimin e faturave të energjisë për familjet e cenueshme
Goditet për vdekje një këmbësor në Viti