Prishtinë, 7 tetor 2026 08:55
Çështja e Kosovës vazhdon të zërë një vend të rëndësishëm në politikën e brendshme dhe të jashtme të Serbisë, veçanërisht në periudha zgjedhore. Sipas ekspertit të sigurisë dhe profesorit universitar, Gurakuç Kuçi, Beogradit nuk i nevojitet domosdoshmërisht një konflikt i hapur në Kosovë, por një problem i pazgjidhur, i cili mund të tensionohet periodikisht dhe të përdoret për konsum të brendshëm politik.
Kuçi thotë se Kosova është pjesë e rëndësishme e mënyrës se si ndërtohet dhe ruhet pushteti politik në Serbi. Sipas tij, kjo strategji mbështetet në tre mekanizma kryesorë.
I pari, sipas tij, është shndërrimi i konkurrencës politike në çështje të sigurisë kombëtare. Në këtë mënyrë, kundërshtarët politikë nuk trajtohen vetëm si rivalë politikë, por mund të paraqiten si të lidhur me Kryeministrin e Kosovës në mandat teknik, me Perëndimin apo me projekte që synojnë, siç shprehet Kuçi, “dorëzimin e Kosovës”.
Në një intervistë për Veritasinfo, Kuçi thotë se një qasje e tillë e zhvendos debatin publik nga çështjet e qeverisjes drejt pyetjes se kush mund ta mbrojë Serbinë.
“Sidomos para zgjedhjeve, kjo retorikë e mjegullon qëllimisht kufirin ndërmjet opozitës politike dhe kërcënimit ndaj sigurisë”, thotë ai.
Si mekanizëm të dytë, ai përmend kontrollin e fortë politik dhe ruajtjen e monopolit mbi përfaqësimin e serbëve të Kosovës, ndërsa mekanizmi i tretë, sipas tij, është lufta diplomatike dhe juridike.
Në këtë kuadër, Kuçi përmend përdorimin nga Serbia të Rezolutës 1244, UNMIK-ut dhe Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për të kontestuar vazhdimisht arkitekturën shtetërore dhe të sigurisë së Kosovës.
Ai vlerëson se Beogradi përpiqet gjithashtu ta paraqesë KFOR-in si të vetmen forcë të armatosur legjitime në Kosovë, bazuar në interpretimin e tij të Rezolutës 1244.
Roli i Rusisë
Duke folur për bashkëpunimin Serbi–Rusi dhe ndikimin e tij në sigurinë e Kosovës, Kuçi thotë se rreziku nuk duhet parë domosdoshmërisht si mundësi për një operacion të përbashkët ushtarak.
Sipas tij, më e rëndësishme është plotësueshmëria strategjike ndërmjet kapaciteteve të dy vendeve.
“Serbia ka terrenin, strukturat politike dhe ndikimin lokal, ndërsa Rusia ka kapacitetin diplomatik, informativ, kibernetik dhe ndërkombëtar për ta amplifikuar një krizë”, shprehet Kuçi.
Ai shton se mbështetja e presidentit rus Vladimir Putin për presidentin serb Aleksandar Vuçiq nuk duhet parë vetëm si mbështetje personale.
Sipas Kuçit, kjo mbështetje i krijon Beogradit më shumë hapësirë manovrimi për të vazhduar politikën e tij të balancimit ndërmjet Perëndimit, Rusisë dhe Kinës.
Në këtë perspektivë, sipas ekspertit, Kosova mbetet një pikë ku ndërthuren politika e brendshme serbe, diplomacia rajonale dhe interesat e aktorëve më të mëdhenj ndërkombëtarë.

Kurti uron Shiroka-Pulën: Do të punojmë bashkë për suksesin e ish-krerëve të UÇK-së në apel
Kuvendi miraton ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara
Shiroka-Pula pas zgjedhjes presidente: Do të jem presidente e të gjithë qytetarëve
Kurti: Procesi i Berlinit të rikonfigurohet, Kosova kërkon prova, jo premtime
Koalicioni Shqiptar zyrtarizon listën për zgjedhjet e 25 tetorit në Serbi
Afati për zgjedhjen e Presidentit skadon sot
Serbia synon monopolin politik mbi serbët në Kosovë