Prishtinë, 6 tetor 2026 13:15
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se pas 12 vitesh nga fillimi i Procesit të Berlinit është e nevojshme të mendohet për rikonfigurimin e tij. Kurti i bëri këto deklarata në Forumin për Shoqëri Civile (CSF 2026), pjesë e iniciativës rajonale të Procesit të Berlinit, që këtë vit mbahet në Prishtinë nën moton “Prova, jo premtime”.
Në fjalën e tij, Kurti tha se Kosova ka zgjedhur të udhëheqë përmes shembullit, duke e lidhur këtë me demokracinë, sundimin e ligjit dhe luftën kundër korrupsionit.
“Kur më shumë e gjithmonë vende po shkojnë drejt autokracisë, Kosova është bërë një prej demokracive më të forta në Ballkanin Perëndimor e përtej, duke fuqizuar sundimin e ligjit, duke luftuar korrupsionin dhe duke mbrojtur liritë fundamentale”, tha shefi i ekzekutivit kosovar.
Kurti foli edhe për angazhimin e Kosovës në Tregun e Përbashkët Rajonal dhe për marrëveshjet në kuadër të CEFTA-s.
“Ne kemi vepruar të parët: qytetarët e Bosnjës mund të vijnë me karta të identitetit, kurse Bosnja duhet ende ta ratifikojë marrëveshjen tonë”, shtoi ai.
Kurti tha se rajoni ende nuk e ka përfunduar ciklin e plotë të lëvizshmërisë, përfshirë njohjen e diplomave, lejet e punës dhe të drejtat sociale.
Kreu i qeverisë kërkoi që të drejtat e komuniteteve pakicë të jenë pjesë më e rëndësishme e Procesit të Berlinit.
“Prandaj, minoritetet duhet ta kenë vendin e vet në Procesin e Berlinit me standarde të përbashkëta për gjithë rajonin: prej vendeve të garantuara në institucione, tek përdorimi i gjuhës së tyre amtare në institucione, deri te ruajtja e kulturës dhe traditave. Kosova është e gatshme me kontribuar për këtë punë”, nënvizoi Kurti.
Në fjalën e tij, kryeministri iu referua edhe rolit të shoqërisë civile dhe gazetarëve në luftën kundër keqinformimit.
“Në çështje si kjo, puna juaj është e nevojshme. Kur ka dyshime ju sillni fakte, përmes gazetarisë dhe mendimit kritik, dhe kur e bëni këtë, ju mbroni vlerat të cilat mundohen t’i dobëzojnë, mbroni dinjitetin njerëzor, lirinë, barazinë, solidaritetin”, tha Kurti.
Sa i përket rrugës së Kosovës drejt Bashkimit Evropian, Kurti tha se në dhjetor bëhen katër vjet nga aplikimi për anëtarësim dhe përmendi, siç tha ai, rritjen ekonomike, uljen e papunësisë dhe harmonizimin me politikën e jashtme të BE-së.
“Po megjithëkëtë, Kosova mbetet i vetmi vend në Ballkanin Perëndimor pa statusin e kandidatit në BE dhe prandaj slogani i këtij forumi është ‘Prova, jo premtime’”, tha Kurti.
Ai në fund tha se pret që rekomandimet e Forumit për Shoqëri Civile t’u dërgohen liderëve në Podgoricë dhe se Kosova do t’i marrë ato seriozisht.

Koalicioni Shqiptar zyrtarizon listën për zgjedhjet e 25 tetorit në Serbi
Afati për zgjedhjen e Presidentit skadon sot
Beogradi me probleme të brendshme dhe pa alternativa për votuesit e rikthen Kosovën në fushatën elektorale
Miratohet në parim Projektligji për ndarjet buxhetore
Komisioni për Legjislacion voton në parim ligjin për ndryshimin e Dhomave të Specializuara
Kurti: Procesi i Berlinit të rikonfigurohet, Kosova kërkon prova, jo premtime
Arrestohet një person në Skenderaj për krime lufte kundër popullatës civile