Prishtinë, 3 tetor 2026 10:15
Tre vjet pas sulmit të armatosur në Banjskë, Kosova ka forcuar disa prej kapaciteteve të saj të sigurisë, por rreziku për një krizë të re në veri nuk mund të konsiderohet i eliminuar.
Kështu vlerëson eksperti i sigurisë, Hysen Gecaj.
Në një prononcim për Veritasinfo, përkitazi me zhvillimet në veriun e Kosovës, pas sulmit terrorist në Banjskë tre vjet pas, thotë se një nga mësimet kryesore të sulmit të 24 shtatorit 2023 është nevoja për zbulim të hershëm, inteligjencë, koordinim institucional dhe reagim të shpejtë.
Sulmi në Banjskë, ku u vra polici Afrim Bunjaku, dëshmoi se një incident lokal mund të shndërrohet në një përballje serioze të sigurisë. Sipas Gecajt, pas këtij rasti institucionet e Kosovës kanë ndërmarrë hapa për rritjen e kapaciteteve, veçanërisht në Policinë e Kosovës.
Njësitë speciale kanë zhvilluar trajnime të avancuara, ndërsa janë përforcuar edhe kapacitetet e inteligjencës dhe analizës, përfshirë bashkëpunimin me partnerët ndërkombëtarë.
“Siguria nuk mund të mbështetet vetëm në reagimin pasi të ndodhë një incident”, shprehet Gecaj, duke theksuar se parandalimi kërkon që institucionet të jenë në gjendje të identifikojnë paraprakisht lëvizjet e njerëzve, armëve, financimit dhe logjistikës.
Një rol të rëndësishëm në këtë arkitekturë vazhdon ta ketë edhe bashkëpunimi ndërmjet Policisë së Kosovës, FSK-së, KFOR-it dhe EULEX-it.
Gecaj vlerëson se ushtrimet dhe koordinimi ndërmjet këtyre institucioneve kanë ndihmuar në konsolidimin e mekanizmave të reagimit ndaj situatave komplekse të sigurisë.
Në këtë kuadër, KFOR-i mbetet një komponent i rëndësishëm parandalues. Në rast të një incidenti serioz, reagimi nuk do të varej vetëm nga institucionet e Kosovës, pasi ekziston një sistem me disa nivele reagimi, ku Policia e Kosovës është në vijën e parë, EULEX-i si responder i dytë dhe KFOR-i si responder i tretë.
Megjithatë, sipas ekspertit, forcimi i kapaciteteve nuk nënkupton se rreziku është zhdukur.
“Veriu vazhdon të jetë zona më e ndjeshme e sigurisë së Kosovës”, thekson Gecaj, duke nënvizuar ndërthurjen e faktorëve politikë, etnikë, kriminalë dhe ndërkufitarë.
Ai paralajmëron se një krizë e re nuk do të duhej domosdoshmërisht të merrte formën e një sulmi të madh të armatosur.
Incidentet ndaj policisë, barrikadat, kontrabanda, financimi i strukturave kriminale, dezinformimi apo mobilizimi i shpejtë i turmave mund të shërbejnë si elemente të një destabilizimi më të gjerë.
Sipas Gecajt, një krizë mund të nisë edhe nga një incident lokal, të shoqërohet me propagandë dhe protesta, e më pas të shndërrohet në krizë politike dhe sigurie.
Për këtë arsye, sfida kryesore për institucionet e Kosovës nuk është vetëm aftësia për të reaguar pas një sulmi, por edhe kapaciteti për ta zbuluar dhe parandaluar atë përpara se të marrë përmasa më të mëdha.

FSK-ja rrit nivelin profesional, radhëve të saj i bashkohen oficerë të rinj të mjekësisë
Ministri kroat i Mbrojtjes: Kemi përgjigje ndaj arsenalit ofensiv të Serbisë, Kosovën e kemi aleate
FSK përgatit instruktorët për sfidat e luftës moderne
Kosova forcon kapacitetet e mbrojtjes, Maqedonci: Do të jemi kontribuues aktivë në sigurinë ndërkombëtare
Flamuj me Mlladiqin dhe simbole të RS-së, disa serbë tentuan ta provokojnë protestën për UÇK-në në Prishtinë
FSK forcon bashkëpunimin me Forcat Speciale të Shqipërisë dhe Kroacisë
Gecaj: Tre vjet pas Banjskës, Kosova ka forcuar kapacitetet e sigurisë
Qeveria miraton vendimin për nismën ligjore për Specialen