Prishtinë, 22 nëntor 2026 17:14
Organizata e Traktatit të Atlantikut të Veriut (NATO) do të mbajë të hënën një takim në Bruksel, pas hyrjes së tre objekteve ruse në hapësirën ajrore të Polonisë, në një incident që ka rritur shqetësimet për sigurinë në krahun lindor të Aleancës.
Takimi i Këshillit të Atlantikut të Veriut, organit kryesor vendimmarrës të NATO-s, do të përqendrohet në shkeljen e hapësirës ajrore polake dhe në masat që mund të ndërmerren për forcimin e mbrojtjes së territorit të vendeve anëtare.
Autoritetet polake kanë bërë të ditur se tri objekte kanë hyrë në hapësirën ajrore të vendit më 20 nëntor, gjatë një sulmi të madh rus ndaj Ukrainës. Sipas hetimeve fillestare, bëhet fjalë për dy raketa dhe një dron me motor reaktiv. Njëra prej raketave është identifikuar si raketë lundruese ruse e tipit Kh-101.
Kryeministri polak, Donald Tusk, e ka cilësuar incidentin si një provokim të qëllimshëm nga Rusia, duke theksuar se Varshava nuk e konsideron hyrjen e objekteve në territorin e saj si një rastësi.
Ndërkohë, ministri polak i Mbrojtjes, Władysław Kosiniak-Kamysz, ka paralajmëruar se vendi pret mbështetje të mëtejshme nga aleatët e NATO-s për forcimin e mbrojtjes së kufirit lindor.
Ai ka bërë të ditur se gjatë takimit të së hënës Polonia do të paraqesë propozime konkrete për rritjen e sigurisë dhe identifikimin e mundësive të reja të veprimit.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, ka deklaruar se Aleanca do të mbrojë çdo pëllëmbë të territorit polak. Ai gjithashtu ka bërë të ditur se komandanti suprem i forcave aleate në Evropë, gjenerali Alexus Grynkewich, do të vlerësojë kërcënimet e mundshme dhe do të propozojë përshtatjet e nevojshme në kapacitetet mbrojtëse.
Incidenti ndodhi në një kohë kur Polonia ishte nikoqire e ushtrimeve ushtarake të përbashkëta me vende aleate të Ukrainës, pjesë e koalicionit të njohur si “Koalicioni i të Gatshmëve”.
Ngjarja ka shtuar shqetësimet për përshkallëzimin e tensioneve ndërmjet Rusisë dhe NATO-s, veçanërisht në krahun lindor të Aleancës, ku shkeljet e hapësirës ajrore nga dronë dhe raketa kanë qenë një burim i vazhdueshëm shqetësimi që nga fillimi i luftës në Ukrainë.

Ukraina dyshohet për sulmin me dron ndaj anijes ruse në Gjirin e Finlandës
Tetë të vrarë nga sulmet ruse në Ukrainë, Moska shkel edhe hapësirën ajrore të Polonisë
Bordi i Paqes paralajmëron për dështimin e armëpushimit në Gaza, kritikon Izraelin dhe Hamasin
Tri fuqitë më të mëdha bërthamore në një tryezë
Trump kërcënon Iranin: Do të paguajë çmim të paparë nëse sulmon Washingtonin
Takim historik në Kinë: Xi, Trump dhe Putin në një tryezë për paqen botërore
Ballkani mposht Gjilanin me përmbysje
Vdekje në vendin e punës në Istog, Prokuroria nis hetimet
Sveçla: Fabrika e municionit, dëshmi e partneritetit strategjik Kosovë–Turqi