Prishtinë, 19 nëntor 2026 15:27
Profesori i shkencave të sigurisë, Avni Islami, ka vlerësuar se deklaratat e ish-drejtorit të Agjencisë së Sigurisë Ushtarake të Serbisë (ASU), Momir Stojanoviq, lidhur me sulmin terrorist në Banjskë, përbëjnë sinjale të rëndësishme që duhet të merren seriozisht nga institucionet e Kosovës.
Në një reagim, Islami ka thënë se dyshimet e ngritura për organizimin, armatosjen, koordinimin dhe mbështetjen logjistike të grupit të armatosur që kreu sulmin më 24 shtator 2023, përforcojnë dyshimet për përfshirjen e mundshme të strukturave serbe të sigurisë në këtë operacion.
Sipas tij, këto deklarata marrin rëndësi të veçantë edhe në kontekstin e ndryshimeve në udhëheqjen ushtarake dhe të inteligjencës së Serbisë, përfshirë pensionimin e Milan Mojsiloviqit dhe Gjuro Jovaniqit.
Megjithatë, Islami ka theksuar se deri më tani nuk ka dëshmi të konfirmuara që i lidhin drejtpërdrejt këto ndryshime me rastin e Banjskës.
Ai ka ngritur pikëpyetje edhe për mënyrën se si institucionet serbe po e trajtojnë rastin e Milan Radoiçiqit, të cilin e ka cilësuar si një nga figurat kyçe të sulmit në Banjskë.
“Ku ndodhet Milan Radoiçiqi dhe pse fletarrestimi është lëshuar vetëm tani e jo më herët?”, janë disa nga çështjet që Islami ka vënë në pah.
Profesori i shkencave të sigurisë ka vlerësuar se zhvillimet e fundit kërkojnë reagim dhe masa parandaluese nga institucionet e Kosovës.
Ai ka bërë thirrje për vlerësim të vazhdueshëm të kërcënimeve ndaj sigurisë kombëtare, duke u mbështetur në informacionet e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI) dhe inteligjencës së Policisë së Kosovës.
Po ashtu, Islami ka theksuar rëndësinë e forcimit të koordinimit me KFOR-in, EULEX-in dhe partnerët strategjikë ndërkombëtarë, me qëllim të parandalimit të rreziqeve të mundshme dhe mbrojtjes së sigurisë së vendit.

Radoiçiqit i ndalohet hyrja në Bosnjë – përbën kërcënim për sigurinë
Ngrihen dyshime për përfshirje të ushtrisë dhe shërbimeve sekrete serbe në sulmin në Banjskë
Maqedonci në selinë e NATO-s: Kosova ka trajnuar 146 pjesëtarë ukrainas
Maqedonci: Ukraina duhet ta njohë Kosovën për bashkëpunim më të madh
Siguria e Kosovës përballë kërcënimeve hibride, Fetoshi thekson partneritetin me NATO-n
FSK-ja kalon testet ushtarake, anëtarësimi në NATO kërkon edhe mbështetje politike
Vite të tëra pa zgjidhje për qentë endacakë, specialisti i kimisë toksikologjike me kritika për institucionet lokale
Instituti Albanologjik shpall muze zyrën ku punoi Rexhep Qosja
Rashiq: Lista Serbe është elementi më destruktiv në historinë e serbëve