Prishtinë, 22 gusht 2026 09:06
SHBA-ja ndan mbi 206 milionë dollarë për forcën në Gaza, Kosova dhe Shqipëria përfitojnë automjetet e para
Prishtinë, 22 gusht 2026 – Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë ndarë mbi 206 milionë dollarë për mbështetjen e Forcës Ndërkombëtare të Stabilizimit në Gaza (ISF), në një kohë kur plani për vendosjen e kësaj force ende përballet me pengesa politike.
Sipas dokumenteve të Departamentit amerikan të Shtetit, të raportuara nga Reuters, rreth 200 milionë dollarë do të përdoren për pajisje, infrastrukturë, automjete dhe shpenzime operative të forcës, ndërsa rreth 6.3 milionë dollarë janë paraparë për përshtatjen e nëntë automjeteve të blinduara amerikane për misionin në Gaza.
Kosova dhe Shqipëria janë ndër pesë shtetet që kanë shprehur gatishmëri për të kontribuar me trupa në këtë mision, së bashku me Indonezinë, Marokun dhe Kazakistanin. Egjipti dhe Jordania, ndërkaq, pritet të angazhohen në trajnimin e forcave policore palestineze.
Një zhvillim i rëndësishëm për Kosovën dhe Shqipërinë është se ato parashihet të jenë ndër përfitueset e para të automjeteve të blinduara amerikane të përshtatura për përdorim në kuadër të ISF-së. Nëntë transportues të blinduar, të cilët fillimisht ishin destinuar për Nepalin, do të ridrejtohen për mbështetjen e misionit në Gaza.
Forca Ndërkombëtare e Stabilizimit është pjesë e planit amerikan për Gazën dhe synon të ketë rol në garantimin e sigurisë, mbështetjen e procesit të çmilitarizimit, sigurimin e ndihmave humanitare dhe materialeve për rindërtim, si dhe në trajnimin e forcave të reja policore palestineze.
Megjithatë, ende nuk ka një afat të përcaktuar për dislokimin e trupave. Mospajtimet ndërmjet Izraelit dhe Hamasit rreth çmilitarizimit, tërheqjes së forcave izraelite dhe ndaljes së luftimeve kanë penguar avancimin e planit.
Për Kosovën dhe Shqipërinë, pjesëmarrja në këtë strukturë do të përfaqësonte një angazhim të rëndësishëm në një mision ndërkombëtar të sigurisë, ndërsa pajisjet amerikane pritet të forcojnë kapacitetet e tyre në kuadër të rolit të paraparë në Gaza.

Sveçla: Fabrika e municionit, dëshmi e partneritetit strategjik Kosovë–Turqi
FSK avancon kapacitetet e mbështetjes luftarake, realizon qitje me mortaja 120 mm në Shqipëri
Policia e Kosovës avancon kapacitetet për menaxhimin e turmave
FSK-së i dhurohet roboti i parë tokësor pa ekuipazh i prodhuar në Kosovë
Radoiçiqit i ndalohet hyrja në Bosnjë – përbën kërcënim për sigurinë
Banjska dhe dyshimet për përfshirjen e strukturave serbe, Islami kërkon masa parandaluese
Serwer: Beogradi e di se pa njohjen e Kosovës nuk ka anëtarësim në BE
Rusia rrit tensionet me NATO-n, Aleanca mblidhet pas incidentit në Poloni
Ballkani mposht Gjilanin me përmbysje
Vdekje në vendin e punës në Istog, Prokuroria nis hetimet