Prishtinë, 21 gusht 2026 19:23
Ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka deklaruar se optimizimi gradual i pranisë së KFOR-it, përfshirë urën mbi Ibër, pasqyron përmirësimin e situatës së sigurisë dhe rritjen e kapaciteteve të institucioneve të Kosovës.
Ai tha se ky proces nuk paraqet zvogëlim të sigurisë për qytetarët apo komunitetet.
“Optimizimi gradual i pranisë së KFOR-it, përfshirë përshtatjen e pranisë në urën mbi Ibër, është para së gjithash reflektim i përmirësimit të situatës së sigurisë në Kosovë dhe i rritjes së kapaciteteve të institucioneve tona të sigurisë. Ky është një proces i bazuar në vlerësime profesionale të situatës në terren dhe nuk paraqet zvogëlim të sigurisë për asnjë qytetar apo komunitet në Republikën e Kosovës”, tha ai.
Sipas tij, Kosova ka ndërtuar ndër vite institucione profesionale dhe të besueshme të sigurisë, ndërsa bashkëpunimi dhe koordinimi me KFOR-in dhe partnerët ndërkombëtarë vazhdon të jetë i ngushtë. Siguria e të gjithë qytetarëve të Kosovës, pa dallim etnie, është dhe mbetet përgjegjësi dhe prioritet i institucioneve tona.
“Në këtë kontekst, përpjekjet e lidershipit të Serbisë për ta paraqitur optimizimin e pranisë së KFOR-it si kërcënim për komunitetin serb apo si dëshmi të një situate të paqëndrueshme në Kosovë nuk përputhen me realitetin në terren. Përkundrazi, ato synojnë të krijojnë perceptimin e një krize atje ku vlerësimet profesionale të sigurisë tregojnë progres. Kjo narrativë e udhëheqjes politike dhe ushtarake të Serbisë duhet parë edhe në kontekstin e zhvillimeve të tjera të rëndësishme. Ajo i shërben edhe zhvendosjes së vëmendjes nga çështje që kërkojnë përgjigje dhe përgjegjësi: gjetjet lidhur me varrezën masive në Kalludër, zbulimi i armëve dhe pajisjeve në lokacione të ndryshme në veri të Kosovës, si dhe veprimet e institucioneve tona kundër rrjeteve të dyshuara të inteligjencës së Serbisë dhe aktiviteteve subversive kundër Republikës së Kosovës”, ka shkruar Maqedonci në Facebook.
Ai tha në vend të narrativave që prodhojnë frikë dhe tension, rajoni ynë ka nevojë për përgjegjësi, transparencë dhe respektim të fakteve.
“Republika e Kosovës nuk është burim i destabilitetit. Kosova është shtet demokratik, partner i besueshëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, NATO-s dhe aleatëve tanë, si dhe kontribuuese në sigurinë dhe stabilitetin rajonal. Institucionet e Republikës së Kosovës do të vazhdojnë, në koordinim të ngushtë me KFOR-in dhe partnerët strategjikë, të forcojnë kapacitetet e tyre dhe të kontribuojnë në ruajtjen e një mjedisi të sigurt për të gjithë qytetarët. Siguria dhe stabiliteti i qëndrueshëm ndërtohen mbi fakte, bashkëpunim dhe përgjegjësi institucionale – jo mbi dezinformim, narrativa të frikës dhe përpjekje për krijimin artificial të krizave”, tha ai.

Protesta vazhdon në Prishtinë, Policia raporton hedhje të mjeteve piroteknike
FSK e gatshme për situata komplekse operacionale dhe taktike
Gecaj: Tre vjet pas Banjskës, Kosova ka forcuar kapacitetet e sigurisë
FSK-ja rrit nivelin profesional, radhëve të saj i bashkohen oficerë të rinj të mjekësisë
Ministri kroat i Mbrojtjes: Kemi përgjigje ndaj arsenalit ofensiv të Serbisë, Kosovën e kemi aleate
FSK përgatit instruktorët për sfidat e luftës moderne
Kurti: Procesi i Berlinit të rikonfigurohet, Kosova kërkon prova, jo premtime
Koalicioni Shqiptar zyrtarizon listën për zgjedhjet e 25 tetorit në Serbi
Afati për zgjedhjen e Presidentit skadon sot
Arrestohet një person në Skenderaj për krime lufte kundër popullatës civile