Prishtinë, 21 gusht 2026 14:32
Kosova vazhdon të mbetet në një shkallë të lartë ekspozimi ndaj luftës hibride, ku kërcënimet nuk kufizohen vetëm te propaganda dhe dezinformimi, por përfshijnë edhe sulmet kibernetike, spiunazhin, presionin politik dhe operacionet destabilizuese.
Në një prononcim për Veritasinfo, Arben Fetoshi, drejtor në organizatën OCTOPUS dhe njohës i çështjeve të sigurisë, thotë se pozicioni gjeopolitik i Kosovës dhe raportet me Serbinë e bëjnë vendin cak të vazhdueshëm të operacioneve hibride. Sipas tij, kërcënimet lidhen kryesisht me “ambiciet hegjemoniste të Serbisë”, por edhe me rivalitetin më të gjerë ndërkombëtar, ku përfshihet Rusia.
Fetoshi thotë se këto operacione “kanë për qëllim destabilizimin dhe sabotimin”, ndërsa përdorin një kombinim metodash, nga dezinformimi dhe narrativat manipuluese, deri te presioni politik, sulmet kibernetike dhe spiunazhi.
Ai e sheh instrumentalizimin e komunitetit serb në Kosovë si një nga komponentët e kësaj strategjie. Sipas tij, përmes narrativave për “spastrim etnik” dhe përpjekjeve për ta penguar njohjen ndërkombëtare të Kosovës, synohet krijimi i një perceptimi negativ për shtetin e Kosovës.
Megjithatë, Fetoshi vlerëson se zhvillimet e fundit kanë treguar një qartësi më të madhe të komunitetit euro-atlantik ndaj situatës në Kosovë. Ai përmend vendimet lidhur me Urën e Ibrit dhe Manastirin e Deçanit si tregues të një qasjeje më të qartë të NATO-s dhe partnerëve ndërkombëtarë.
Rreziku, sipas tij, mbetet i pranishëm. Sulmi në Banjskë, incidentet ndaj kanalit të Ibër-Lepencit dhe kapja e vazhdueshme e armatimit në veri tregojnë se ekziston ende potenciali për operacione destabilizuese. “Mbetet evident rreziku për operacione destabilizuese që kalkulojnë pasoja të caktuara politike”, thotë Fetoshi.
Institucionet kanë bërë përparim
Në përballjen me këto kërcënime, Fetoshi vlerëson se institucionet e Kosovës kanë shënuar përparim, veçanërisht në identifikimin dhe neutralizimin e aktiviteteve të dyshimta. Ai përmend arrestimet e personave të dyshuar për spiunazh dhe bashkëpunimin ndërmjet Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Policisë dhe Prokurorisë Speciale.
Një rrezik i veçantë paraqitet gjatë zgjedhjeve, kur, sipas Fetoshit, “vërehet ndërhyrje më intensive”, me synim ruajtjen e ndikimit politik përmes Listës Serbe.
Ai i referohet edhe FIMI-t, pra ndërhyrjes dhe manipulimit të huaj të informacionit, duke theksuar përdorimin e narrativave polarizuese dhe nxitëse nga media serbe dhe ruse.
Për këtë arsye, Fetoshi kërkon krijimin e një mekanizmi të centralizuar të paralajmërimit dhe mbrojtjes, që do të ndërlidhte inteligjencën, policinë, sigurinë kibernetike, monitorimin e dezinformimit dhe mediat profesionale.
Rrjetet sociale, front i ri i luftës informative
Një tjetër front i luftës hibride janë rrjetet sociale. Fetoshi thotë se teknologjia e ka bërë propagandën më të shpejtë, më të lirë dhe më të targetuar.
“Nëse dikur propaganda kërkonte kontroll të mediave, ajo sot ka në dispozicion profile anonime, faqe joautentike, gjenerator AI dhe targeton një komunitet të caktuar apo një pakënaqësi”, shpjegon ai.
Sipas tij, Kosova është “cak i vazhdueshëm i propagandës digjitale”, ndërsa si kanale përmend Telegramin dhe rrjetin Pravda. Përballja me këtë fenomen, thekson ai, nuk mund të mbështetet vetëm te institucionet e sigurisë, por kërkon angazhim të gjerë të shoqërisë.
Serbia, aktori kryesor
Në analizën e tij, Fetoshi e identifikon Serbinë si aktorin kryesor të kërcënimeve hibride ndaj Kosovës. Ai thotë se strategjia serbe përfshin diplomacinë, strukturat politike dhe të sigurisë, mediat, kishën, aktivitetet e inteligjencës dhe instrumentalizimin e komunitetit serb.
Në rrafshin informativ, sipas tij, synohet ndërtimi i një narrative ku “Kosova paraqitet si represive, serbët si viktima dhe Serbia si mbrojtëse e tyre”.
Për Fetoshin, lufta hibride ndaj Kosovës nuk është më një kërcënim i kufizuar në një fushë të vetme. Ajo shtrihet në informacion, politikë, siguri, hapësirën kibernetike dhe diplomaci, duke mbetur një sfidë e vazhdueshme për institucionet dhe shoqërinë.

SHBA pajis Kosovën me mjete të blinduara për misionin e paqes në Gaza
Gjukanoviq i dha BIA-s serbe pasqyrë të qartë të situatës në veri
Sekuestrimi i armëve në veri, Çollaku: Informacione valide dhanë edhe qytetarë serbë
Organizata terroriste “Brigada e Veriut” publikon video kërcënuese me mesazh kryesor ndaj kryeministrit Kurti (Video)
Organizata terroriste “Brigada e Veriut”: Na pritni se po vijmë!
BIA dhe “lufta e padukshme” në Kosovë: Nga mbledhja e informacionit te manipulimi i narrativave
Lufta hibride ndaj Kosovës, nga propaganda dhe spiunazhi te sulmet kibernetike
Delegacioni serb lëshoi sallën gjatë raportimit të Kosovës për Prishtina 2030
Analistët: Ka ardhur koha të hapet për automjete
Inspektorati ndalon punimet në 12 vendpunishte në pesë komuna