Prishtinë, 20 gusht 2026 13:13
Rastet e fundit të dyshuara për veprimtari të Agjencisë së Sigurisë së Informacionit (BIA) në Kosovë kanë rikthyer në vëmendje aktivitetin e shërbimeve të huaja dhe mënyrën se si ato synojnë të sigurojnë informacione brenda vendit. Për ekspertët e sigurisë, rreziku nuk qëndron vetëm te identifikimi i agjentëve, por edhe te rrjetet e kontakteve dhe burimeve që mund të krijohen në institucione e komunitete të ndryshme.
Eksperti i sigurisë Drizan Shala, për Veritashinfo, vlerëson se veprimtaria e BIA-s nuk duhet trajtuar si një seri rastesh të shkëputura. Sipas tij, Kosova vazhdon të jetë objektiv i rëndësishëm i interesave operative të shërbimit inteligjent serb.
“Nuk do ta trajtoja veprimtarinë e BIA-s në Kosovë si një seri rastesh të shkëputura”, thotë Shala, duke shtuar se një shërbim inteligjent nuk funksionon domosdoshmërisht përmes një numri të madh agjentësh të identifikueshëm.
Ai shpjegon se BIA mund të mbështetet në një rrjet burimesh, kontaktesh dhe personash me qasje në informacione të caktuara. Këta persona, sipas tij, mund të mos e konsiderojnë veten pjesë të ndonjë operacioni inteligjent, por informacioni që ata ofrojnë mund të ketë vlerë operative.
“Rreziku kryesor nuk është vetëm infiltrimi klasik, por krijimi i qasjes së vazhdueshme në informacion”, thekson eksperti për Veritasinfo.
Shala përmend si fusha me interes për shërbimet e huaja institucionet e sigurisë, politikën, administratën, ekonominë, komunitetet lokale dhe strukturat me ndikim shoqëror. Për këtë arsye, ai thotë se çdo rast i zbuluar duhet të analizohet edhe si mundësi për të identifikuar një arkitekturë më të gjerë të mbledhjes së informacionit.
Në këtë kontekst, një nga çështjet që ngre interes është edhe aktiviteti rreth personave të lidhur me qarqe islamiste. Shala bën thirrje për dallim mes interesimit të një shërbimi inteligjent dhe akuzave ndaj individëve.
“Interesimi i një shërbimi inteligjent për një person nuk do të thotë automatikisht se ai person është ekstremist apo terrorist”, shprehet ai.
Sipas Shalës, BIA mund të synojë të mbledhë të dhëna për strukturat, lidhjet, financimin, komunikimet dhe ndikimet e jashtme. Këto informacione mund të përdoren për krijimin e profileve të individëve dhe rrjeteve, por edhe për identifikimin e dobësive të brendshme të një shteti.
Kjo çështje, sipas tij, merr një dimension të veçantë kur lidhet me luftën hibride. Shala vlerëson se tema e ekstremizmit islamik mund të përdoret për të dëmtuar imazhin e Kosovës në arenën ndërkombëtare.
“Ekstremizmi islamik është një temë veçanërisht e ndjeshme në hapësirën euroatlantike”, thotë ai, duke paralajmëruar se një aktor shtetëror mund të marrë një element real dhe ta nxjerrë jashtë proporcionit për ta lidhur me një narrativë më të gjerë.
Sipas tij, përmes mediave, rrjeteve sociale dhe kanaleve politike mund të promovohet ideja se Kosova është burim i ekstremizmit ose se institucionet e saj nuk janë në gjendje ta kontrollojnë këtë fenomen.
“Objektivi mund të jetë krijimi i narrativave të tilla: Kosova është burim i ekstremizmit, institucionet kosovare nuk janë në gjendje ta kontrollojnë këtë fenomen, ose territori i Kosovës paraqet rrezik për sigurinë evropiane”, shprehet Shala.
Megjithatë, ai vlerëson se institucionet e Kosovës, veçanërisht Agjencia e Kosovës për Inteligjencë, kanë dëshmuar kapacitete në identifikimin dhe ndërprerjen e aktiviteteve të inteligjencës së huaj.
Shala thekson se puna e kundërzbulimit nuk mund të matet vetëm përmes rasteve që bëhen publike, pasi një pjesë e konsiderueshme e operacioneve mbetet konfidenciale. Sipas tij, sfida kryesore tashmë është ruajtja dhe avancimi i këtyre kapaciteteve.
Ai paralajmëron se kërcënimi po bëhet gjithnjë e më kompleks, pasi spiunazhi tradicional po kombinohet me dezinformimin, ndikimin dhe operacionet psikologjike.
Për Shalën, kjo nënkupton se përballja me aktivitetin e shërbimeve të huaja nuk mund të kufizohet vetëm te zbulimi i agjentëve, por duhet të përfshijë edhe identifikimin e rrjeteve, narrativave dhe metodave të ndikimit që synojnë sigurinë dhe imazhin e Kosovës.

Operacioni i kontrabandimit të 10 migrantëve, Prokuroria ngrit aktakuzë ndaj tre personave
Kodraliu: Sheholli i ofroi ndihmë BIA-s për dëmtim të figurave politike në Kosovë
Prokurori Kodraliu: Shtatë raste të spiunazhit të lidhura me BIA-n serbe
Pse BIA interesohet për “qarqet islamiste” në Kosovë
Komandanti i KFOR-it takon shefen e përkohshme të BE-së në Kosovë, diskutojnë për sigurinë
Nga arrestimi në Merdarë te 30 ditë paraburgimi për Fehim Sali
Sonte Drita – Inter Club d’Escaldes në Ligën e Konferencës
BIA dhe “lufta e padukshme” në Kosovë: Nga mbledhja e informacionit te manipulimi i narrativave
Policia e Kosovës gjenë armatim, municion dhe uniforma në veri të Kosovës