Preshevë, 12 gusht 2026 09:15
Sistemi i drejtësisë në Serbi po vazhdon të prodhojë praktika që shqiptarët e Luginës së Preshevës i konsiderojnë si përjashtuese dhe diskriminuese, duke e thelluar edhe më tej hendekun mes institucioneve shtetërore dhe komunitetit shqiptar.
Rasti i fundit, i ngritur nga veprimtari politik Ragmi Mustafa, lidhet me funksionimin e Gjykatës në Bujanoc. Sipas tij, institucioni mbetet fizikisht në Bujanoc, por përfaqësimi i banorëve të kësaj komune në të po zbehet gjithnjë e më shumë.
Mustafa ngre shqetësimin se për dy vende pune, nga gjithsej 13 kandidatë, janë përzgjedhur persona nga Vranja dhe Vladiçin Hani, duke lënë jashtë shqiptarët dhe banorët lokalë të Bujanocit.
“Gjykata mbetet në Bujanoc. Emri mbetet. Tabela mbetet. Vetëm Bujanoci, dalëngadalë, mbetet jashtë saj”, shkruan Mustafa.
Sipas tij, kjo nuk duhet parë si një rast i izoluar, por si pjesë e një problemi më të gjerë të përfaqësimit të shqiptarëve në institucionet publike të Serbisë.
Për shqiptarët e Luginës së Preshevës, problemet me përfaqësimin institucional shtrihen në disa fusha – nga punësimi dhe përdorimi i gjuhës shqipe, te përfaqësimi në administratë, polici, gjyqësor dhe institucione të tjera shtetërore.
Një tjetër çështje që ka shkaktuar shqetësim të vazhdueshëm është edhe pasivizimi i adresave, përmes të cilit shqiptarëve u janë fshirë ose çregjistruar adresat e banimit, duke ndikuar në të drejtat e tyre qytetare dhe në evidencat zyrtare.
Në këtë kontekst, kritikat ndaj sistemit të drejtësisë në Serbi lidhen jo vetëm me vendimet gjyqësore, por edhe me mënyrën se si institucionet funksionojnë në raport me komunitetet joserbe dhe, veçanërisht, me shqiptarët në jug të Serbisë.
Ironia, siç e përshkruan Mustafa, është e qartë: Bujanoci e ka Gjykatën, por Gjykata rrezikon të mos e ketë më Bujanocin.

Kurti kërkon nga udhëheqja e re e Serbisë njohjen e pavarësisë së Kosovës
Kosova meriton avancimin evropian, Murtezaj vë në pah pengesat politike
Lista Studentore rrëzoi Vuçiqin, por jo retorikën nacionaliste ndaj Kosovës
Lista e Enkel Rexhepit del e para në zgjedhjet për KKSH-në, siguron 10 nga 29 mandatet
Britania e Madhe rikonfirmon mbështetjen për Kosovën, Burnham i shkruan Kurtit
Ndryshimet në Beograd mund të godasin rrjetin e Listës Serbe dhe strukturat paralele në Kosovë
Dokumentari kosovar vlerësohet në Milano, çmim ndërkombëtar për “Karate e Yjeve”
Mbi 224 milionë euro për ushtrinë, Maqedonci paralajmëron investime të reja
Aktakuzë për sulmet ndaj gazetarëve dhe KFOR-it në Zveçan më 29 maj 2023