Prishtinë, 8 nëntor 2026 17:16
Mbretëria e Bashkuar ka rikonfirmuar përkrahjen për Kosovën si shtet sovran, të pavarur dhe shumëetnik, duke u zotuar për vazhdimin e bashkëpunimit në fushën e sigurisë, stabilitetit dhe sundimit të ligjit.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pranuar një letër urimi nga kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, Andy Burnham, i cili ka vlerësuar partneritetin e kahershëm ndërmjet dy vendeve.
Në letrën drejtuar Kurtit, Burnham ka rikujtuar se Britania ishte ndër shtetet e para që njohu pavarësinë e Kosovës, duke shprehur krenarinë për këtë vendim.
Ai ka theksuar se vendi i tij mbetet mbështetës i palëkundur i zhvillimit të Kosovës dhe ka vlerësuar bashkëpunimin ndërmjet dy shteteve në promovimin e stabilitetit dhe sigurisë në Evropë.
“Jemi krenarë që kemi qenë ndër vendet e para që e njohu pavarësinë e Kosovës. Ne mbetemi mbështetës të palëkundur të zhvillimit të vazhdueshëm të Kosovës si shtet sovran, i pavarur dhe shumëetnik”, ka shkruar Burnham.
Kreu i qeverisë britanike ka riafirmuar gjithashtu angazhimin e Mbretërisë së Bashkuar për stabilitetin rajonal, duke veçuar drejtësinë ndërkombëtare, llogaridhënien dhe sundimin e ligjit si elemente të rëndësishme për arritjen e pajtimit të qëndrueshëm.
Në fund të letrës, Burnham ka shprehur gatishmërinë për të bashkëpunuar me Kurtin në adresimin e sfidave evropiane dhe thellimin e partneritetit mes dy vendeve.
Ai ka përmendur veçanërisht forcimin e ekonomive dhe luftimin e krimit të rëndë të organizuar si fusha me interes të përbashkët për bashkëpunim.

Ndryshimet në Beograd mund të godasin rrjetin e Listës Serbe dhe strukturat paralele në Kosovë
Kurti fton shqiptarët e Luginës të votojnë për Këshillin Kombëtar Shqiptar
Shala: Institucionet e Kosovës duhet ta monitorojnë komunikimin e Qeverisë së re të Serbisë me serbët e Kosovës
Kurti: Kosova meriton statusin e vendit kandidat në BE, pozita aktuale nuk e pasqyron progresin e bërë
Lista Studentore distancohet nga Lista Serbe, reagon Von Cramon
As serbët nga veriu i Kosovës nuk i dhanë mbështetje të plotë Aleksandar Vuçiçit
Britania e Madhe rikonfirmon mbështetjen për Kosovën, Burnham i shkruan Kurtit
Ekspertët kërkojnë përshpejtimin e gradimeve në Polici
Shqiptarët e Luginës votojnë për Këshillin Kombëtar, katër lista garojnë për 29 ulëse