Prishtinë, 10 nëntor 2026 18:47
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj A.S., i dyshuar për përfshirje në sulmet e 29 majit 2023 në Zveçan, ku cak i dhunës ishin edhe gazetarët që po raportonin nga terreni.
I dyshuari akuzohet për veprat penale “Sulmi ndaj personit zyrtar” dhe “Pjesëmarrja në turmë që kryen vepër penale dhe huliganizmi”.
Sipas komunikatës së Prokurorisë Speciale, A.S. dyshohet se në bashkëkryerje ka sulmuar pjesëtarët e misionit paqeruajtës të KFOR-it, duke përdorur mjete të forta, mjete shpërthyese të improvizuara dhe armë zjarri.
Si pasojë e këtyre sulmeve, janë lënduar disa pjesëtarë të Policisë së Kosovës dhe së paku 30 pjesëtarë të KFOR-it, tre prej të cilëve kanë pësuar lëndime të rënda.
Gjatë përleshjeve të asaj dite, sipas Prokurorisë, janë sulmuar edhe automjetet e gazetarëve që po mbulonin zhvillimet në Zveçan.
Ngritjen e aktakuzës e ka mirëpritur Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK), duke kërkuar që të gjithë personat përgjegjës për sulmet ndaj gazetarëve të përballen me drejtësinë.
Sipas të dhënave të AGK-së, gjatë pesë javëve të tensioneve në maj dhe qershor të vitit 2023, në pjesën veriore të Kosovës janë regjistruar 35 raste të sulmeve ndaj gazetarëve, përfshirë edhe sulme fizike.
AGK-ja ka theksuar se do të vazhdojë të angazhohet që sistemi i drejtësisë të sigurojë përgjegjësi për të gjithë ata që sulmuan gazetarët dhe penguan punën e mediave gjatë asaj periudhe.

Kurti nga Parisi për Gjykatën Speciale: Të bëhen të gjitha përpjekjet për apel
Policia e Kosovës paralajmëron për mashtrimet online: Kujdes nga vegëzat që kërkojnë të dhënat bankare
Ndalohen rreth 150 mijë lodra për fëmijë me origjinë nga Kina, nuk plotësonin standardet e sigurisë
Mungesa e gjuhës shqipe në Federatën e Gjahtarëve në Maqedoninë e Veriut, kërkohet ndërhyrje institucionale
Bizneset kosovare po zgjerojnë praninë e tyre në veri
Ramadani premton transparencë në hetimin për vrasjen e Arlinda Zekajt
Aktakuzë për sulmet ndaj gazetarëve dhe KFOR-it në Zveçan më 29 maj 2023
Kurti kërkon nga udhëheqja e re e Serbisë njohjen e pavarësisë së Kosovës