Prishtinë, 13 korrik 2026 15:57
Avancimi i Shqipërisë në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe marrja e presidencës së Këshillit të BE-së nga Irlanda kanë rritur pritjet se edhe Kosova mund të shënojë lëvizje në rrugën e saj integruese.
Kryenegociatori i Kosovës me Bashkimin Evropian, Jeton Zulfaj, thotë për KosovaPress se momenti aktual paraqet një mundësi të rëndësishme edhe për Kosovën. Ai thotë se zgjerimi nuk po trajtohet më vetëm si proces teknik, por edhe si domosdoshmëri gjeopolitike, ndërsa përparimi i vendeve të rajonit, veçmas Shqipërisë, sipas tij, është në interes të gjithë Ballkanit Perëndimor.
Ai kërkon që progresi i Kosovës të matet sipas reformave dhe rezultateve të arritura, duke argumentuar se vendi ka shënuar avancim në indikatorët e demokracisë dhe sundimit të ligjit. Sipas tij, Kosova nuk duhet të kushtëzohet me zhvillimet në dialogun me Serbinë apo me progresin e këtij shteti në rrugën drejt integrimit evropian.
“Jemi në një moment gjeopolitik, përgjigjja e BE-së po ashtu është gjeopolitike dhe, sigurisht, ne i gëzohemi anëtarësimit edhe të Shqipërisë. Sa më shumë që ecën përpara Shqipëria, aq më mirë. Dhe është vlerësim i Bashkimit Evropian se çfarë konsiderohet… Për ne është e rëndësishme që të mos kapemi nga mungesa e vullnetit të Serbisë për normalizim apo edhe nga progresi i tyre. Ne duhet të kemi rrugën tonë të progresit dhe të vlerësohemi në bazë të meritës sonë, e që në të gjithë indikatorët del se kemi përparim të theksuar”, deklaron ai.
Megjithatë, njohësit e çështjeve evropiane vlerësojnë se pritjet duhet të mbeten realiste. Sipas tyre, megjithëse Irlanda mbështet zgjerimin e BE-së dhe integrimin e Ballkanit Perëndimor, pengesa kryesore për Kosovën mbetet mungesa e konsensusit mes 27 shteteve anëtare, pasi pesë prej tyre ende nuk e njohin pavarësinë e Kosovës.
Kosova ka dorëzuar aplikimin për anëtarësim në Bashkimin Evropian në dhjetor të vitit 2022, por ai ende nuk është proceduar për shqyrtim nga Këshilli i BE-së. Për të avancuar drejt statusit të vendit kandidat kërkohet pajtim politik i vendeve anëtare, si dhe vazhdimi i reformave në sundimin e ligjit, administratë publike dhe fusha të tjera kyçe.
Ndërkaq, njohësja e integrimeve evropiane, ish-diplomatja Alma Lama, vlerëson se presidenca irlandeze përbën një zhvillim pozitiv për Kosovën, duke pasur parasysh mbështetjen që Irlanda i ka dhënë vazhdimisht shtetësisë së saj.
Pavarësisht kësaj, ajo shton se politika e zgjerimit të BE-së ndaj Ballkanit Perëndimor mbetet e pandryshuar dhe përparimi i secilit shtet do të varet nga përmbushja e standardeve dhe reformave, e jo nga ndonjë qasje favorizuese.

Roth: Serbia e gjorë, pretendimet ndaj një fqinji e çojnë drejt luftës, jo BE-së
Qeveria e Kosovës: Shfaqja e Radoiçiqit në tubimin e SNS-së dëshmi e lidhjeve me Serbinë
Organizatori i sulmit terrorist në Banjskë, Radoiçiq, pranë djalit të Vuçiqit në tubimin parazgjedhor të SNS-së në Kragujevc
Alarm për diasporën shqiptare: Vuçiq po përgatit pengesa për votuesit
Policia e Kosovës: Fushatat zgjedhore të Serbisë nuk lejohen në Kosovë
Zgjedhjet në Serbi, Janjiq: Ndikimi rus është jashtëzakonisht i madh
Kurti: Serbia fsheh krimet dhe mbron kriminelët, duhet trysni ndërkombëtare
FSK avancon kapacitetet e Policisë Ushtarake përmes trajnimit me Gjermaninë
Qeveria planifikon ta procedojë në shkurt 2027 projektligjin për formimin e Xhandarmërisë