Prishtinë, 8 korrik 2026 21:10
Një muaj e një ditë pas ditës së zgjedhjeve, KQZ-ja ka certifikuar rezultatet, me ç’rast ka përfunduar edhe procesi elektoral. Tash, shteti ka hyrë në një periudhë ku afatet për formimin e kuvendit, qeverisë dhe zgjedhjen e presidentit janë të përcaktuara me kushtetutë ose të interpretuara me vendim të Gjykatës Kushtetuese. Ushtruesja e detyrës së Presidentit, Albulena Haxhiu, ka paralajmëruar që veprimet që i takojnë do t’i ndërmarrë brenda afateve të përcaktuara.
Deri më 7 gusht, deputetët e rinj kanë kohë për ta konstituuar legjislaturën e njëmbëdhjetë të Kuvendit.
Detyrimi buron nga aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese, i publikuar më 25 qershor të 2025-s, kur pati ngërç në Kuvend.
Neni 66 i Kushtetutës përcakton që “Kuvendi i Kosovës zgjidhet me mandat katërvjeçar, duke filluar nga dita e seancës konstituive, që mbahet brenda tridhjetë (30) ditësh nga dita e shpalljes zyrtare të rezultateve të zgjedhjeve”.
Certifikimi i rezultateve është bërë të mërkurën nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ).
Ndërkaq, bazuar në interpretimin e bërë nga Kushtetuesja, termi “mbajtja” e seancës konstituive nënkupton që ajo të përmbyllet.
“Kërkesa nga paragrafi 1 i nenit 66 të Kushtetutës, që Kuvendi të mbajë Seancën Konstituive brenda tridhjetë (30) ditëve nuk do të thotë vetëm që deputetët e zgjedhur duhet të mblidhen fizikisht në sallë. Kuptimi i kësaj norme duhet të jetë substancial dhe funksional, duke nënkuptuar që brenda këtij afati duhet të realizohen të gjitha veprimet kushtetuese që rezultojnë në konstituimin e Kuvendit”, thuhet në pikën 132 të aktgjykimit.
Sipas kësaj pike, kjo përfshijnë: verifikimin e mandateve të deputetëve të zgjedhur; dhënien e betimit nga ana e tyre; dhe zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit dhe zgjedhjen e Nënkryetarëve të Kuvendit. Gjykata ka theksuar që pa përfundimin me sukses të këtyre veprimeve kushtetuese, Kuvendi nuk mund të konsiderohet juridikisht i konstituuar dhe, rrjedhimisht, nuk mund të ushtrojë asnjë nga funksionet që Kushtetuta i ka caktuar.
“Gjykata vlerëson që një Seancë Konstituive që mbahet, por nuk e zgjedh kryetarin/en dhe nënkryetarët e Kuvendit, nuk arrin efektin juridik që i ka përcaktuar Kushtetuta, dhe është seancë e papërfunduar dhe rrjedhimisht nuk përmbush kërkesën e paragrafit 1 të nenit 66 të Kushtetutës”, thuhet në Aktgjykim.
Nisjes së afatit 30-ditor i hapi rrugë certifikimi i rezultateve të zgjedhjeve të 7 qershorit nga KQZ-ja, në mbledhjen e mbajtur të mërkurën.
Kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radnoniqi, tha se me shpalljen e rezultateve përfundimtare, që u bë para 11 ditëve, certifikimi i tyre ndryshon pasi dy kandidatë të Aleancës kanë hequr dorë nga mandati i fituar si deputet.
“Ndërsa te radhët e Aleancës kemi ndryshim në renditje ku në vend të Ardian Gjinit – zëvendësohet me Bekë Berishën kurse në vend të Daut Haradinajt kemi Burim Ramadanin”, ka thënë Radoniqi.
Bazuar në rezultatin zyrtar: Lëvizja Vetëvendosje ka fituar 53 mandate, Partia Demokratike 22, Lidhja Demokratike 18 deputetë, Aleanca 7 dhe 20 ulëset e komuniteteve pakicë janë ndarë ndërmjet 11 partive të ndryshme.

Haxhiu: Seanca konstituive do të thirret brenda afatit kushtetues
Nuk kalon rekomandimi i Komisionit Evropian, Serbia mbetet e bllokuar në hapjen e kapitujve me BE-në
Kërcënime për largim nga puna, analistët kërkojnë hetim të rolit të Listës Serbe
Dokumentari që përplas narrativën zyrtare të Beogradit: Luftërat i kemi humbur, duhet pranuar realitetin e Kosovës së pavarur
Aplikimi i Kosovës për anëtarësim në BE, temë kryesore e takimit Konjufca–Terras
Miliona nga Serbia për të akuzuarin për sulmin në Banjskë
Rizvanolli e Karakaç diskutojnë projektin e termocentralit të Vlorës me gaz të lëngëzuar nga ShBA
Reagimi diplomatik dhe qytetar jep rezultat, korrigjohet paraqitja e Kosovës në reklamën e Air Serbia