Prishtinë, 28 qershor 2026 20:38
Serbia nuk ka ndryshuar në krahasim me vitet 90-ta për nga përpjekjet për t’i paraqitur shqiptarët dhe Kosovën si çerdhe të ekstremizmit islamik, vlerësojnë njohësit. Krahas dëmtimit të imazhit të Kosovës, drejtori i Institutit KIPRED, Lulzim Peci, thotë se Serbia synon ta prishë edhe solidaritetin ndërfetar mes shqiptarëve.
Serbia ka interes për rrymat radikale fetare në Kosovë me qëllim që ta dëmtojë imazhin ndërkombëtar të Kosovës, vlerësohet në një raport të organizatës PREVENT e nga disa njohës.
Javën e kaluar, Gjykata Themelore në Prishtinë konstatoi se Hysri Selimi iu bashkua ISIS-it me udhëzime të BIA-s serbe, por edhe e informonte këtë shërbim lidhur me rrymat radikale islame në Kosovë.
Konstatimi se Serbia ka interesim për rryma radikale fetare në Kosovë nuk e befason, ka thënë drejtori i Institutit KIPRED, Lulzim Peci.
Ai vlerëson se Serbia, por edhe Rusia, që nga vitet e 90-a kanë bërë përpjekje fillimisht t’i paraqesin shqiptarët e më pas edhe Kosovën si çerdhe e ekstremistëve islamikë në arenën ndërkombëtare.
“Kjo informatë atyre u duhet shumë më tepër për ta baltosur Kosovën dhe për ta paraqitur si vend të pasigurt dhe vend i cili ka inklinime të radikalizmit islam. Edhe pse një numër jo i vogël i njerëzve nga Kosova ka shkuar në Siri, ai nuk është problemi kyç i Kosovës – nuk mund t’i jepet Kosovës ai karakter… Në fund të fundit Kosova e ka luftuar shumë radikalizmin islam, po flasim për institucionet shtetërore…Pika fillestare e Serbisë dhe pika ku është sot është e njëjtë, mirëpo ju duhen elemente të këtilla për ta proklamuar Kosovën në këtë formë dhe për ta paraqitur shtetësinë e Kosovës dhe vetë shtetin e Kosovës si vend jo-stabil i cili është i ndërlidhur me radikalizmin islam e kështu me radhë”, ka thënë Peci.
Një synim tjetër i fqinjit të Kosovës, sipas tij, është edhe përçarja e shqiptarëve. Peci thotë se kjo bëhet në mënyrë që ta cenojë harmoninë ndërfetare në mes të shqiptarëve.
“Shqiptarët i kanë katër religjione dhe ka qenë zgjidhja e vetme që për ta krijuar një emërues të përbashkët për të krijuar nacionalizmin shqiptar dhe për të krijuar bashkimin e të gjitha elementeve fetare brenda saj. Ato nuk kanë mundur të bashkohen nëse nuk i ishte dhënë kulmi sekular të gjithë kësaj pune e pikërisht këtë lëvizjet radikale islame i kanë goditur pikërisht këto shtylla për shembull e dimë se si është baltosur Skenderbu, Nëna Terezë e sidomos figurat e religjionit katolik që kanë dhënë kontribut të jashtëzakonshëm për të qenë shqiptarët ata çfarë janë sot”, ka shtuar ai.

Takohen Kurti e Hamza
Qeveria miraton pakon e projektligjeve për reformën në drejtësi
Kamberi: Beogradi bllokon fondet dhe tekstet shqip, por Lugina po flet në New York
Deklarata kundër Speciales, Haxhiu: Do të kontribuojmë në draftimin e saj
Projektligji për Specialen i dërgohet Qeverisë për shqyrtim
Kuvendi të hënën mban seancë
Kosova mposhtet nga Austria në Vjenë
Protesta në Shkup, Gjenevë, Oslo, Treviso, Melburn dhe në disa qytete të Gjermanisë kundër aktgjykimit të Speciales
Kosova në disavantazh prej dy golave pas pjesës së parë