Prishtinë, 11 nëntor 2026 13:48
Rritja e buxhetit të mbrojtjes në 224 milionë euro për vitin 2027 është një hap i rëndësishëm për forcimin e kapaciteteve të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), por suksesi i këtij investimi duhet të matet me aftësitë konkrete mbrojtëse që do të krijohen.
Kështu vlerëson eksperti i sigurisë Hysen Gecaj, në një prononcim për Veritasinfo, sipas të cilit modernizimi i ushtrisë nuk mund të mbështetet vetëm në blerjen e armatimit dhe pajisjeve moderne, por kërkon edhe personel të përgatitur, disiplinë, koordinim dhe profesionalizëm.
Ai thekson se FSK-ja duhet të vazhdojë procesin e profesionalizimit përmes trajnimeve të specializuara, ushtrimeve të përbashkëta dhe shkëmbimit të përvojave me ushtritë e vendeve anëtare të NATO-s.
Gecaj e veçon bashkëpunimin me Kroacinë si një mundësi të rëndësishme për pjesëtarët e FSK-së që të përfitojnë nga përvoja e ushtrive partnere, të harmonizojnë procedurat dhe të përvetësojnë standarde të avancuara ushtarake.
Duke komentuar rritjen e buxhetit të mbrojtjes, Gecaj thotë se shuma prej 224 milionë eurosh duhet të vlerësohet në raport me objektivat strategjike dhe nevojat reale të FSK-së.
Sipas tij, prioritet duhet të jenë sistemet moderne të armatimit, pajisjet taktike, mbrojtja kundërajrore, teknologjia ushtarake, infrastruktura dhe përgatitja profesionale e personelit.
“224 milionë euro janë një hap i rëndësishëm, por duhet pyetur nëse kjo shumë është e mjaftueshme për realizimin e të gjitha objektivave strategjike të transformimit të FSK-së”, vlerëson Gecaj.
Ai nënvizon se mbrojtja e shtetit kërkon planifikim serioz, investime të mençura, transparencë dhe realizim të projekteve brenda afateve të parapara.
“Kosovës nuk i duhet vetëm një ushtri më e madhe, por një ushtri moderne, profesionale, mirë e pajisur dhe me kapacitete reale mbrojtëse”, thekson Gecaj.
Sipas tij, forcimi i FSK-së është i rëndësishëm jo vetëm për mbrojtjen e sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës, por edhe për kontributin e vendit në sigurinë dhe stabilitetin rajonal.

Mbi 224 milionë euro për ushtrinë, Maqedonci paralajmëron investime të reja
FSK-ja avancon shkathtësitë taktike kundër terrorizmit
Policia e Kosovës synon rritjen e kapaciteteve profesionale përmes gradimeve të reja
Ekspertët kërkojnë përshpejtimin e gradimeve në Polici
Kurti: 20 baza policore janë ndërtuar e fuqizuar në veri të Kosovës
397 kadetë diplomojnë në Policinë e Kosovës, Kurti e Haxhiu me mesazhe për gjeneratën e re
Arrestime nga Serbia, por pa dëshmi në gjykatë: Rasti i Behar Preniçit argumenton gjahun ndaj qytetarëve të Kosovë
Aleati i Rusisë, Serbia furnizoi industrinë ushtarake ruse me makineri miliona euroshe
Kuvendi mban seancë të jashtëzakonshme për Raportin e KE-së për Kosovën