Prishtinë, 11 nëntor 2026 20:40
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është takuar me presidentin e Francës, Emmanuel Macron, në Pallatin Élysée në Paris, ku kanë diskutuar për marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve, integrimin evropian të Kosovës dhe sigurinë në rajon.
Pas takimit, Kurti ka bërë të ditur se një nga çështjet kryesore të diskutimit ishte avancimi i Kosovës drejt Bashkimit Evropian, përkatësisht marrja e statusit të vendit kandidat dhe hapja e negociatave për anëtarësim.
Përmes një postimi në Facebook, Kurti ka vlerësuar rolin e Francës në rrugëtimin e Kosovës drejt çlirimit dhe pavarësisë, duke e cilësuar atë si aleate të fuqishme dhe partnere të rëndësishme të vendit.
Ai ka theksuar se gjatë bisedës me Macronin ka kërkuar mbështetjen e Francës për përparimin e Kosovës në procesin e integrimit evropian.
“Biseduam për mundësi të reja bashkëpunimi ndërmjet Kosovës dhe Francës, për integrimin tonë euroatlantik dhe për sigurinë në rajon. Theksova rëndësinë e mbështetjes së Francës për marrjen e statusit të vendit kandidat dhe hapjen e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian”, ka shkruar Kurti.
Një tjetër temë e diskutuar ishte mbrojtja e fëmijëve nga rreziqet që lidhen me përdorimin gjithnjë e më të madh të teknologjisë.
Kurti ka shprehur mbështetjen e tij për nismën e presidentit Macron në këtë drejtim, duke bërë të ditur se Kosova i është bashkuar Deklaratës Politike të Samitit të Fëmijëve, e cila synon mbrojtjen e mirëqenies, të drejtave dhe të ardhmes së brezave të rinj.
Në fund, Kurti ka theksuar se Kosova dhe Franca do të vazhdojnë bashkëpunimin për paqe, zhvillim ekonomik dhe perspektivë të përbashkët evropiane.
Ndërkohë, aplikimi i Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian është dorëzuar në dhjetor të vitit 2022, por vendi ende nuk ka marrë përgjigje për hapat e mëtejmë të procesit

Kuvendi mban seancë të jashtëzakonshme për Raportin e KE-së për Kosovën
Trump nominon Mikhail Bogachekun për ambasador të SHBA-së në Kosovë
Kurti kërkon nga udhëheqja e re e Serbisë njohjen e pavarësisë së Kosovës
Kosova meriton avancimin evropian, Murtezaj vë në pah pengesat politike
Lista Studentore rrëzoi Vuçiqin, por jo retorikën nacionaliste ndaj Kosovës
Lista e Enkel Rexhepit del e para në zgjedhjet për KKSH-në, siguron 10 nga 29 mandatet
Zvonko Veselinoviq largohet drejt Turqisë, fluturon nga Sarajeva për në Stamboll
Gjykimi për sulmin në Ibër-Lepenc, dëshmia e Tiana Viqentijeviqit vazhdon muajin e ardhshëm
Sveçla: Lufta kundër krimit të organizuar dhe trafikimit të armëve mbetet e palëkundur