Prishtinë, 11 nëntor 2026 18:37
Biznesmeni serb nga veriu i Kosovës, Zvonko Veselinoviq, i cili është nën sanksionet e Shteteve të Bashkuara dhe Mbretërisë së Bashkuar, është larguar drejt Turqisë, në një kohë kur në Serbi kanë nisur arrestimet e disa biznesmenëve dhe zyrtarëve të lidhur me pushtetin e mëparshëm.
Sipas raportimeve të mediumit hulumtues serb KRIK, Veselinoviq është nisur në orët e hershme të mëngjesit të 11 nëntorit nga Sarajeva drejt Stambollit, duke përdorur pasaportë serbe.
Burime të sigurisë në Bosnje e Hercegovinë kanë konfirmuar për Radion Evropa e Lirë se ai është larguar nga ky shtet me fluturim drejt Turqisë. Arsyet e udhëtimit të tij nuk janë bërë të ditura.
Largimi i Veselinoviqit ndodh në një periudhë kur autoritetet serbe kanë nisur arrestime ndaj disa biznesmenëve dhe zyrtarëve që dyshohet se kanë pasur lidhje të afërta me strukturat e pushtetit gjatë qeverisjes së Aleksandar Vuçiqit.
Lidhjet me pushtetin në Serbi dhe sanksionet ndërkombëtare
Veselinoviq njihet si një prej figurave me ndikim në veri të Kosovës dhe si ish-partner afarist i Milan Radoiçiqit, i cili konsiderohet organizator i sulmit të armatosur në Banjskë, më 24 shtator 2023.
Mediumi KRIK ka raportuar më herët për lidhjet e Veselinoviqit me nivelet e larta të politikës serbe, përfshirë Andrej Vuçiqin, vëllain e ish-presidentit serb Aleksandar Vuçiq.
Komunikimet në platformën e enkriptuar “Sky”, të publikuara nga KRIK, kanë nxjerrë në pah pretendime për ndikimin e tij në emërimet brenda Policisë së Serbisë dhe përfitimin e kompanive të lidhura me të nga kontratat milionëshe të projekteve shtetërore.
Në dhjetor të vitit 2021, Shtetet e Bashkuara e vendosën Veselinoviqin në listën e sanksioneve, duke e lidhur me dyshime për korrupsion dhe krim të organizuar. Një vit më vonë, edhe Mbretëria e Bashkuar vendosi sanksione ndaj tij.
Sipas autoriteteve amerikane, grupi i lidhur me Veselinoviqin dyshohet për përfshirje në kontrabandën e drogës, armëve dhe mallrave ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Emri i tij është përmendur gjithashtu në kontekstin e hetimeve për vrasjen e politikanit serb nga Kosova, Oliver Ivanoviq, në janar të vitit 2018.
Deri më tani nuk janë bërë të ditura hollësi zyrtare që do të sqaronin nëse largimi i tij drejt Turqisë lidhet drejtpërdrejt me arrestimet e fundit në Serbi.

Gjykimi për sulmin në Ibër-Lepenc, dëshmia e Tiana Viqentijeviqit vazhdon muajin e ardhshëm
Arrestime nga Serbia, por pa dëshmi në gjykatë: Rasti i Behar Preniçit argumenton gjahun ndaj qytetarëve të Kosovë
Dokumentari kosovar vlerësohet në Milano, çmim ndërkombëtar për “Karate e Yjeve”
Aktakuzë për sulmet ndaj gazetarëve dhe KFOR-it në Zveçan më 29 maj 2023
Kurti nga Parisi për Gjykatën Speciale: Të bëhen të gjitha përpjekjet për apel
Policia e Kosovës paralajmëron për mashtrimet online: Kujdes nga vegëzat që kërkojnë të dhënat bankare
Sveçla: Lufta kundër krimit të organizuar dhe trafikimit të armëve mbetet e palëkundur
Eksperti Gecaj: FSK-ja duhet të investojë në mbrojtjen kundërajrore dhe teknologjinë ushtarake