Prishtinë, 27 maj 2026 19:45
Një hetim i publikuar nga Balkan Investigative Reporting Network ka zbuluar se dy automjete të blinduara të tipit “Mercedes G-Class”, të konfiskuara pas sulmit të armatosur në Banjskë të veriut të Kosovës në shtator të vitit 2023, ishin në pronësi të kompanisë serbe “Pent Rent”, e lidhur me rrjetin e biznesit të afërt me Milan Radoiçiqin dhe Zvonko Veselinoviqin.
Pas konfliktit të armatosur të 24 shtatorit 2023, Policia e Kosovës kishte ekspozuar një arsenal të madh armësh, pajisjesh ushtarake dhe automjetesh të sekuestruara, të cilat dyshohet se u përdorën nga grupi i armatosur serb i udhëhequr nga Milan Radoiçiq.
Sipas të dhënave të siguruara nga hetimi në Prishtinë, dy automjetet e blinduara “Mercedes” rezultojnë të jenë në pronësi të kompanisë “Pent Rent” nga Beogradi. Prokuroria në Prishtinë konfirmoi për BIRN-in se në njërin prej automjeteve ishte gjetur edhe një dokument në emër të Milan Radoiçiqit.
Sipas hetimeve, automjetet fillimisht kishin qenë me ngjyrë të zezë, por më vonë ishin mbuluar me shtresë mbrojtëse në ngjyrë ulliri dhe me logon e KFOR-it.
BIRN identifikoi njërin nga automjetet e sekuestruara edhe në Regjistrin Publik të Pengut, përmes numrit të shasisë. Dokumentet tregojnë se automjeti ishte regjistruar si garanci kredie nga kompania “Pent Rent” në vitin 2018, ndërsa kreditor kishte qenë “Addiko Bank”. Pengu më vonë ishte fshirë nga regjistri.
Kompania “Pent Rent”, e themeluar në vitin 2016, figuron zyrtarisht në pronësi të Dushko Gjenadijës. Megjithatë, burime të BIRN-it pretendojnë se ai lidhet me afaristin Milorad Lovriq, i cili menaxhon bizneset e “C&LC Group”, kompani e njohur për numrin e madh të autobusëve në transportin publik të Beogradit.
Sipas të dhënave publike dhe burimeve të afërta me operacionet e këtyre kompanive, “Pent Rent”, “C&LC Group” dhe kompani të tjera të lidhura konsiderohen pjesë e një rrjeti më të gjerë biznesi të afërt me Milan Radoiçiqin dhe kumbarin e tij, Zvonko Veselinoviqin.
Falë kontratave të mëdha shtetërore, sidomos në sektorin e energjisë dhe transportit publik, këto kompani janë shndërruar në aktorë dominues në tregun serb dhe kanë gjeneruar të ardhura shumëmilionëshe në vitet e fundit.
Në mesin e vitit 2024, gjatë një hetimi të BIRN-it për tenderët e transportit publik në Beograd, Milorad Lovriq kishte pranuar se kishte bashkëpunuar me Zvonko Veselinoviqin në vitet 2014 dhe 2015 në disa projekte, por kishte mohuar lidhje më të afërta biznesi.
Megjithatë, sipas BIRN-it, dokumentet financiare, raportet zyrtare dhe lidhjet mes kompanive tregojnë se bashkëpunimi mes këtyre qarqeve të biznesit vazhdon edhe sot.
Në raport përmendet edhe praktika e regjistrimit formal të kompanive në emër të punonjësve ose personave të afërt, ndërsa kontrolli real ushtrohet nga një rreth i ngushtë bashkëpunëtorësh. Kjo skemë ishte përmendur edhe në procese të mëhershme gjyqësore që lidhnin Veselinoviqin dhe Radoiçiqin me kompani transporti dhe leasingu.
BIRN thekson se kompania “Pent Rent” është e lidhur drejtpërdrejt me kompaninë “Elektroizgradnja Bajina Bašta”, e cila operon në projekte të rëndësishme infrastrukturore në sektorin energjetik, ndërsa dokumentacioni financiar dhe të dhënat nga APR sugjerojnë ekzistencën e një rrjeti shumë më të gjerë biznesesh të ndërlidhura.

Komisioni për të Zhdukurit: Çdo rezultat është një hap drejt së vërtetës për familjet
Kosova forcon kontrollin në turizëm, nuk tolerohen udhërrëfyesit pa licencë
Ambasada e Gjermanisë në Kosovë ka kërkuar nga Serbia bashkëpunim të plotë me institucionet kosovare për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur
Haxhiu reagon pas vrasjes së 80-vjeçares në Prizren
Krehiç: Mund të ketë ende lokacione të pazbuluara të personave të zhduku
Konjufca: Rrjetet e spiunazhit synojnë destabilizimin
Kurti: Diskutimet do të vazhdojnë, për herë të parë kemi folur pë emra të përveçëm
Donjeta siguron finalen, ndeshet me rusen e Serbisë
Mbytet 20-vjeçari nga Kosova në liqenin e Komanit